Prokuroria: Do të vërtetohet që Sami Lushtaku është fajtor për arratisjen nga QKUK

Prokuroria: Do të vërtetohet që Sami Lushtaku është fajtor për arratisjen nga QKUK

Prokurorja Florije Shamolli, në fjalën e saj hyrëse, ka deklaruar se nga provat që do të prezantohen në shqyrtimin kryesor, nga dëshmia e të akuzuarve dhe provave materiale të propozuara në aktakuzë dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve do të vërtetohet se Sami Lushtaku dhe të tjerët kanë kryer vepër penale, në rastin e arratisjes së tij nga QKUK-ja.

Në këtë rast, përveç Sami Lushtakut, akuzohen edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Mervete Hasani-Lushtaku, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Prokurorja Shamolli, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Por, mbrojtësi i Sami Lushtakut, avokati Artan Qerkini, ka deklaruar se një aktakuzë e tillë nuk është e mbështetur në prova.

Ai ka kërkuar nga gjykata që Lushtaku të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

“Do të bindeni se ndaj Lushtakut janë paraqitur akuza si pasojë e ndonjë vendimi të gabuar të ish-gjyqtarit të EULEX-it, i cili kishte urdhëruar transferimin e tij në veriun e Mitrovicës. Po ashtu do të shihni se në shkresat e lëndës nuk ekzistojnë provat që prokuroria e mbështet akuzën e vet në lidhje me “arratisje të Lushtakut”. Ju do të vëreni se në këtë çështje penale ka kundërthënie të vet pretendimeve të prokurorisë që kanë të bëjnë me Lushtakun”, ka thënë avokati Qerkini.

Ai ka thënë se dëshmi për këto kundërthënie është ku në një pjesë të aktakuzës thuhet se Lushtaku është arratisur, ndërsa në pjesën tjetër thuhet se është kthyer vullnetarisht në Qendrën e Paraburgimit.

“Me zbatimin e urdhërit të gjyqtarit të EULEX, një numër i madh i qytetarëve kanë penguar zbatimin e këtij urdhri, i cili u legjitimua pasi kryetari e tërhoqi urdhrin, qytetarët mudësuan që z.Lushtaku të transferohet në Burgun e Dubravës, pasi aty siguria nuk rrezikohet. Arratisja nuk ka ndodhur. Lushtaku me 23 maj 2014, u transferua në Burgun e Dubravës, këtu kurrfarë tendence për arratisje nuk ka pasur. Vendimi për trandeferim në veri të Mitrovicës u revokua pasi nuk ishte i drejtë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Lushtaku ka qenë në rastin Drenica në paraburgim, i cili nuk ka pasur mundësi të ndikojë në dëshmitarë, por siç ka thënë ai, klientit të tij, i caktohet masa e paraburgimit që të mos ndikojë në dëshmitarë, e në anën tjetër akuzohet për ndikim në dëshmitarë.

Seanca është duke vazhduar me fjalët hyrëse të të akuzuarve të tjerë dhe mbrojtësve të tyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. /BetimipërDrejtësi