Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan, ndaj pesë personave nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Rrëmbimi”, njofton Insajderi.
Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, ata dyshohet se kanë mbajtur nën kërcënimin e armës dy persona në një vilë në Komunën e Novobërdës.
“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit V.K., M.I., B.N., V.K. dhe F.S., nga data 16 – 17 Shkurt 2021, me dashje direkt dhe me qëllim të përfitimit material, i kanë marrë dhe kanë mbajtur nën kërcënimin e armës të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në një vilë në komunën e Novobërdës, të cilët i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video incizime, të cilat pastaj ia kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se gjatë kohës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur, të pandehurit ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka dhe revole./Insajderi.com