
Departamenti për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Gjilanit ka marrë aktvendim për fillimin e procedurës përgatitore ndaj 5 të miturve, pasi që pas një mosmarrëveshje ata janë rrahur mes vete në shkollë.
Prokuroria e ka marrë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”, meqë, sipas Prokurorisë, masat e tjera do të ishin të pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, shkruan Insajderi.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për të Mitur, ka marrë aktvendim për fillim e procedurës përgatitore ndaj të miturve A.H., A.L., SH.H., S.L., dhe B.L., pasi që pas një mosmarrëveshje janë rrahur mes vete në shkollë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Dje, në shkollën e mesme “Zenel Hajdini” në Gjilan, të miturit janë përleshur mes vete, duke e goditur njëri-tjetrin me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast njëri prej tyre e ka goditur me grusht vajzën e mitur M.O., e cila po tentonte t’i ndante. Asaj i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat i është dashur të kërkojë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional të Gjilanit.
Edhe vetë sulmuesi i vajzës, si pasojë e rrahjes kishte pranuar tretman mjekësor.
Të miturit A.L. dhe SH.H., dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’, ndërsa të miturit S.L. dhe B.L., dyshohen për veprën penale ‘’Sulm’’ të KPRK-së. /Insajderi.com