Prokuroria e merr në dorë rastin e tentim-vrasjes së avokatit Halilaj – jep detaje

Prokuroria e merr në dorë rastin e tentim-vrasjes së avokatit Halilaj – jep detaje

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka cilësuar si “Vrasje në Tentativë” rastin e plagosjes së avokatit nga Drenasi, Gazmend Halilaj.

Halilaj u plagos të martën rreth orës 16:00 në Drenas. Sipas Policisë së Kosovës, avokati Halilaj u lëndua “pas një sulmi fizik” nga dy persona.

Por, prokurori kujdestar në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ka cilësuar rastin si “Vrasje në Tentativë”.

Në një përgjigje me shkrim për Insajderin të mërkurën, Prokuroria ka deklaruar se organi i akuzës është duke zhvilluar hetimet për identifikimin e personave të përfshirë në rast.

“Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ka cilësuar si ‘Vrasje ne tentative’, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke i zhvilluar hetimet në identifikimin e personave të përfshirë në këtë rast, si dhe në ndriçimin e plote të rastit në fjale”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

Avokati Gazmend Halilaj ka akuzuar Sami Lushtakun për atentatin kundër tij.

“E kam pasë komandant dhe nuk kam besim te ai prej se kanë filluar skandalet. Është e sigurt. Ata janë njerëz të Sami Lushtakut. Vrasjen në tentativë para shtëpisë sime e ka bërë krimineli Sami Lushtaku. Ai është një kriminel gjakftohtë”, ka thënë të martën Halilaj.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media të martën, tha se dy persona dyshohet ta kenë sulmuar avokatin Halilaj.

“Në ora 15:50, policia është njoftuar për një rast në Drenas. Rastit i janë përgjigjur menjëherë njësitet relevante policore. Nga informatat e para të marra nga vendi i ngjarjes, dyshohet se dy persona ta kenë  sulmuar ankuesin”, ka thënë Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të armës. /Insajderi.com