Prokuroria e Shtetit ngritë dy aktakuza ndaj personit që ka vdekur në vitin 2011

Prokuroria e Shtetit ngritë dy aktakuza ndaj personit që ka vdekur në vitin 2011

Prokuroria e Shtetit nuk po i lë “rehat” personat që kanë vdekur shumë vjet më parë.

Pa verifikuar statusin jetësor të tyre, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka vazhduar me ngritjen e aktakuzave ndaj personave që nuk jetojnë më, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Madje, ndaj personit që kishte vdekur shumë vjet më parë, kjo prokurori e ka ngarkuar me dy aktakuza, të cilat i ka ngritur rreth gjashtë vjet pasi që i akuzuari kishte ndërruar jetë.

Fillimisht, më 13 qershor 2017, Prokuroria e Prishtinës, e ka ngarkuar N.A se kishte kryer veprën penale “lidhja e paautorizuar në shërbime”, ndërsa me aktakuzën e dytë të ngritur më 16 qershor 2017, ai akuzohej se kishte kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”.

Duke vepruar sipas aktakuzës së parë të ngritur më 13 qershor 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 maj 2019, kishte caktuar seancën fillestare, por që në këtë gjykim nuk kishte prezantuar i akuzuari.

Më pas, kjo gjykatë më 14 gusht i ishte drejtuar Komunës së Prishtinës me një urdhëresë për verifikimin e statusit jetësor të tij.

Duke vepruar sipas aktakuzës së dytë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kjo gjykatë më 20 qershor 2019, kishte caktuar seancën fillestare ndaj të akuzuarit N.A për vjedhje të shërbimeve komunale.

Ngjashëm, kjo gjykatë sërish më 5 nëntor 2019, i ishte drejtuar Komunës së Prishtinës, për të kryer verifikime lidhur me statusin jetësor të të akuzuarit N.A.

Komuna e Prishtinës, më 8 nëntor 2019, e kishte njoftuar gjykatën se ky i akuzuar kishte ndërruar jetë më 26 maj 2011.

Këtij njoftimi, komuna i kishte bashkëngjitur edhe certifikatën e vdekjes, të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Prishtinë.

Pas vërtetimit të kësaj gjendje faktike, gjykatësja Fatime Dërmaku, duke vepruar sipas nenit 253,  paragrafi 1 kishte marr vendim që të pushonte procedurën penale dhe të hidhte poshtë me dy vendime të ndara aktakuzat e ngritura në këtë rast.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 qershor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj N.A për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer tri raste të veprës penale “lidhja e paautorizuar në shërbime”, nga neni 321 të KPRK-së.

Sipas kësaj aktakuze, N.A akuzohej se më 3 shkurt, 1 mars dhe 19 prill  2017, në shtëpinë e tij në në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të shërbimit komunal, ka keqpërdorur energjinë elektrike në atë mënyrë që pasi ka shkyçur nga njehsori elektrik, ka anashkaluar atë dhe është lidhur direkt nga shtylla në shtëpi përmes kabllos 2×16 mm2 Al, duke u furnizuar pa matje dhe pa autorizimin e furnizuesit të autorizuar për energji elektrike.

Sipas aktakuzës së dytë të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 qershor 2017, N.A akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPRK-së.