Prokuroria fillon hetimet lidhur me anulimin e zgjedhjeve në Han të Elezit

Prokuroria fillon hetimet lidhur me anulimin e zgjedhjeve në Han të Elezit

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka filluar hetimet lidhur me anulimin e zgjedhjeve lokale për kryetar komune në Han të Elezit, përcjell Insajderi.com.

Përmes një komunikate, Prokuroria njoftoi se lidhur me rastin në fjalë, hetimet do të bëhen nën dyshimin për veprat penale “cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” dhe “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”.

Kuti e votimit.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se pas marrjes së informatave se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP),ka anuluar procesin e votimeve të datës 17 Tetor 2021 për kryetar komune në Han të Elezit, ka autorizuar Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin në fjalë, nën dyshimin për veprat penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’  nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ‘Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin’ nga neni 212 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës të KPRK-së (KPRK)”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, të enjten, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur të anulojë zgjedhjet për kryetar komune në Han të Elezit për shkak të “minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve”./Insajderi.com