Prokurorja Valeria Bolici ka njoftuar se Prokuroria e Specializuar do të dorëzojë dosjen paragjyqësore në prill.

Prokuroria jep afat deri në prill për dosjen paragjyqësore, mbrojtja e Gucatit dhe Haradinajt skeptikë

Prokuroria jep afat deri në prill për dosjen paragjyqësore, mbrojtja e Gucatit dhe Haradinajt skeptikë

Prokurorja Valeria Bolici ka njoftuar se Prokuroria e Specializuar do të dorëzojë dosjen paragjyqësore në prill.

Edhe pse ZPS pret që të marrë përgjigje ndaj kërkesave të palëve të treta, për këtë afat kanë shfaqur skepticizëm mbrojtja e të akuzuarve.

“ZPS-ja pret që të përfundojë të gjithë nxerrjen e materialeve në kohën e paraqitjes së dosjes paragjyqësore. Ne presim që të marrim përgjigje ndaj kërkesave të palëve të treta. Edhe nëse nuk e marrim kjo nuk ndikon që të dorëzojmë dosjen dhe për të qenë gati për gjyq. Dua të theksoj, se puna hetimore është e tillë që ne vazhdojmë punën tonë në bashkëpunim me provat e nxjerrura. Provat do ia bëjmë të njohura mbrojtjes në bazë të dispozitave përkatëse. Ne nuk besojmë se këto do të ndikojnë në ecurinë e shpejtë të çështjes”, tha Bolici.

Ndërsa avokati I Hysni Gucatit, Jonathan Rees, thotë se mund të ketë probleme në nxjerrjen e materialeve të tjera.

“Ajo që mund të shtoj është skepticizmi jonë se nxjerrja e materialeve përfundon në 19, 20, 21. Presim zgjidhjen e shqetësimeve që nxirren e që mund të çojë në probleme në nxjerrjen e materialeve tjera. Ne dëgjuam atë që tha ZPS-ja që do ta dorëzojë dosjen paragjyqësore në prill, mirëpo ne jemi skeptik për këtë”, tha Rees.

Skepticizëm për këto afate shfaqi edhe avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, i cili është pajtuar me deklaratën e mbrojtësit të Gucatit.


Mbrojtja e Gucatit: Prokuroria nuk duhet t’i qaset në këtë mënyrë konferencës sa i përket dëshmitarëve

Mbrojtja e Hysni Gucatit në Dhomat e Specializuara, Jonathan Rees, thotë se Prokuroria nuk po i qaset në mënyrë të drejtë konferencës së sotme për ecurinë e çështjes ndaj Gucatit dhe kreut tjetër të OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Siç thotë avokati Rees, ai ka menduar se Prokuroria do të intervistonte dëshmitarë të cilët kanë qenë të frikësuar, por që sipas tij duket që ZPS nuk e ka ndërmend të tërrasë dëshmitarë ë tillë.

“Unë mendoj që nuk është kjo mënyra se si Prokuroria do të duhej t’i qasej kësaj konference. Unë mendova që ZPS-ja kishte ndërmend të intervistonte dëshmitarë që kanë qenë të frikësuar. Mirëpo nga ajo që tha Prokuroria, ZPS-ja nuk ka ndërmend të thërras dëshmitarë të tillë”, tha ai.

Kësaj deklarate iu përgjigj prokurorja Valeria Bolici, e cila tha se kjo pikë ka qenë e sqaruar nga ana e saj, ndërsa mbrojtja mund të rishikojë afatet për kryerjen e hetimeve të veta.

“Unë e kam sqaruar këtë pikë dhe qëndrimin e ZPS-së, dhe dua të them se në ndërrimin e këtij informacioni, mbrojtja mund të rishikojë afatet për kryerjen e hetimeve të veta”, tha ai.


Prokurorja tregon për dëshmitarët që do t’i thërras për dëgjim në rastin e Gucatit dhe Haradinajt

Konferenca e tretë e Dhomave të Specializuara për ecurinë e çështjes ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, ka nisur me fjalën e Prokurorisë së Specializuar nga ku thuhet se mbrojtja e Gucatit e Haradinajt gabimisht ka argumentuar në lidhje me procesin e nxjerrjes së materialeve, transmeton Insajderi.

Prokuroria thotë se e ka njoftuar mbrojtjen për dëshmitarët që do t’i thërras për të dëshmuar.

“Mbrojtja argumenton se ZPS-ja nuk ka nxjerrur këto materiale, duke u mbështetur në faktin se ZPS do të intervistojë edhe tjerë dëshmitarë.  Nuk ka asnjë detyrim për prokurorinë që të intervistojë të gjithë dëshmitarët në sallën e gjyqit. Prokuroria synon që të thërrasë për të dëshmuar autorët e deklaratave që i janë bërë të ditura tashmë mbrojtjes. Kjo u jep përgjigje të gjitha dyshimeve të mbrojtjes për këtë pikë”, ka thënë ajo.

Ajo shprehet se të gjitha materialet e nxjerrura janë të kategorizuara sipas rregullave të përcaktuara.

“Lidhur me vendimet e fundit për masat mbrojtëse me dokumentet e protokolluara, gjykata i ka dhënë urdhër ZPS-së që mbrojtjes t’i ofrojë në dispozicion materiale të caktuara. Këto materiale do të duhen të kategorizohen. Në lidhje me këtë vendim, mund të jetë i nevojshëm nxjerrja e materialeve shtesë në bazë të kategorive”, tha ajo.

“Prokuroria do të jetë e gatshme për gjykim, pavarësisht përmbushjes së kërkesave të palëve të treta. Do të jemi në gjendje të depozitojmë dosjen paraprake të çështjes”.

Në fillim të kësaj seance, gjykatësi Nicolas Guillou, ka përmendur kërkesën e parashtruar nga Nasim Haradinaj gjatë ditës së djeshme përmes avokatëve që të mos marrë pjesë në këtë seancë, për çka Guillou thotë se kjo ka qenë në përputhje me rregulloren.

“Dëshiroj ta përmend kërkesën e parashtruar nga avokati i Z.Haradinaj për ta mbajtur këtë seancë në mungesë të tij. Kjo është në përputhje me rregulloren”, ka thënë ai.

Tutje, gjykatësi Guillou ka përmendur edhe disa çështje paraprake me të cilat tha se duhet të merret, ndërsa ka dhënë një urdhër për avokatët e dy krerëve të veteranëve të luftës sa I përket disa materialeve.

“I jap urdhër mbrojtjeve që t’i publikojnë versionet publike të redaktuara…”, tha gjykatësi.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator të vitit 2020 kanë bërë deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe për persona të tjerë. /Insajderi.com