
Haxhi Hoti, kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, është arrestuar në mëngjesin e sotëm për veprën penale “Shtytje në vrasje”, kjo pasi që ai mbrëmë përmes një shkrimi në “Facebook”, kërcënoi publikisht kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.
Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar se ndaj Hotit është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion se, pas informacionit të publikuar në rrjete sociale, të personit me inicialet H.H., ka ndërmarrë veprime përkatëse hetimore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Menjëherë pas shkrimit të Hotit ka reaguar edhe Policia e Kosovës, ku theksohet se Hoti është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
“Prishtinë (NN:) 28.12.2019-19:00. Raportohet se i dyshuari mashkull K/Shqiptar përmes rrjetit social Facebook kishte publikuar një shkrim i cili është trajtuar si më lartë. Lidhur me rastin njësiti policor e ka kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij, por i njëjti nuk është hasur, të njëjtit i është lënë ftesë për paraqitje të menjëhershme në polici. Në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar dy persona, në koordinim me prokurorin e shtetit janë ndërmarrë veprime për rastin. I dyshuari pas paraqitjes në polici, është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Kosovës për këtë rast.