Prokuroria jep detaje për vrasjen e 22-vjeçarit – tentuan ta inskenojnë ngjarjen si vetëvrasje

Prokuroria jep detaje për vrasjen e 22-vjeçarit – tentuan ta inskenojnë ngjarjen si vetëvrasje

Prokuroria në Gjilan ka dhënë detaje për vrasjen e 22-vjeçarit që u vra mbrëmë në qytetin e Gjilanit.

Agron Uka prokuror i rastit në Gjilan ka thënë për Kallxo.com se të dyshuarit e kryerjes së kësaj vepre kanë dashur ta inskenojnë rasti si vetëvrasje.

“Nuk po mundemi ende me zbulu shkakun se pse ka ndodhë. Deri më tani është arrestuar vëllai dhe i dyshuari kryesor Liridon Uruqi. Jemi duke e bërë kërkesën për caktim të paraburgimit të të dyshuarit. Mund të ju them se i dyshuari e ka pranuar veprën në tërësi”, ka thënë Uka.

Sipas prokurorit Uka, Policia dhe Prokuroria kanë vepruar menjëherë dhe nuk kanë lënë që dëshmitarët të bashkëveprojnë për të ndryshuar rrethanat e ngjarjes.

“Dëshmitari ka thënë se e gjitha ka ndodhur aksidentalisht por ne duhet të analizojmë situatën, se pse i dyshuari ka pasur armë me vete, si ka ardhur rasti deri te shkrepja e armës”, tha Uka.

Tutje, prokurori Uka ka treguar se të dyshuarit, gjithsej 3, njëri nga ta ishte arrestuar në fillim ndërsa të tjerët kanë tentuar ta inskenojnë ngjarjen kinse 21 vjeçari ka bërë vetëvrasje.

“Po në fillim kanë tentuar që ta inskenojnë ngjarjen por fati ynë dhe shpejtësia e Policisë dhe Prokurorisë kemi arritur që mos me i lanë me bashkëpunu. Arma është shkrepur prej 3-4 metra dhe është qëlluar në zemër. Viktima ka shkuar në spital pa shenja jete”, tha Uka.

I dyshuari e ka qëlluar 21-vjeçarin me revole të tipit TT 7.62mm.

Prokurori Uka tregoi edhe se Liridon Uruqi i dyshuari ka një dosje të gjerë kriminale.

“Liridon Uruqi ka dosje kriminale, për vrasje në tentative është i dënuar me dy vjet efektiv. Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar. Ka një të kaluar shumë të gjerë kriminale i dyshuari”, tha Uka.