Prokuroria Themelore në Gjilan njofton se gjatë së enjtes, rreth orës 13:30 minuta, në një kafeteri në Gjilan, në afërsi të shkollave të mesme, dyshohet se i dyshuari B.Z. ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.C, përcjell Insajderi.
Dyshohet që për shkak të një mosmarrëveshje i dyshuari B.Z., me mjet të mprehtë – thikë, i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse të ndjerit I.C., ndërsa motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen.
“Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit është arrestuar dhe ndaj tij është lëshuar vendim mbi ndalim për 48 orë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Prokuroria Themelore në Gjilan thotë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes./Insajderi.com