Vrasja e cila ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Gradicë të Drenasit, ku mbet i vdekur një i mitur dhe u plagos një tjetër, është cilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj në një përgjigje për Gazetën Online Insajderi, ka bërë të ditur se trupi i viktimës është dërguar për obduksion, ndërkaq personi tjetër që ka mbetur i plagosur është duke u trajtuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë më njësitë e tjera relevante. Rasti është cilësuar ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Me urdhër të prokurorit kujdestar trupi i pa jetë është dërguar për obduksion, ndërsa personi tjetër i plagosur është duke u trajtuar në QKUK”, ka thënë Ulaj.
Policia të martën ka njoftuar se i dyshuari për këtë rast është dorëzuar në polici.
I dyshuari është Xh.B 54-vjeçar.
Të njëjtit i është sekuestruar një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.
“Sot rreth orës 08:30, është dorëzuar në polici i dyshuari për vrasjen që ndodhi mbrëmë në fshatin Gradicë. Xh. B. (mashkull) 54 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit po ashtu i është sekuestruar një armë zjarri që dyshohet të jetë përdorur në rast. Ndaj tij kanë filluar procedurat e nevojshme policore”, ka thënë për Insajderi-n zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ndërkaq, në raportin 24 orësh të policisë, thuhet se vrasje ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje.
“Fsh. Gradicë, Gllogoc, 05.04.2021-20:23. Pas një mosmarrëveshje dy të dyshuar meshkuj kosovarë dyshohet që me armë zjarri kanë qëlluar dy viktimat meshkuj kosovarë dhe si pasoj e plagëve të marra, viktima i mitur ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa viktima tjetër është dërguar për tretman mjekësor në QKUK-Prishtinë. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Në vendin e ngjarjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie dhe një veturë e llojit Golf 2 të cilat dyshohet që janë përdorur në rast. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin policor./Insajderi.com