Mbrojtja e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i njohur si komandant “Ujku”, ka kërkuar nga prokuroria që të tregojë emrat e viktimave të prentenduara për çka akuzohet Shala, njofton Insajderi.
Kjo kërkesë nga mbrojtja e Shalës u bë në seancën e sotme që po mbahet në Dhomat e Specializuara, ku mbrojtja tha se redaktimet duhet të hiqen tek emrat e viktimave që pretendohet se janë të të akuzuarit Pjetër Shala.
“Në një situatë të tillë i jemi përgjigjur thirrjes për të marrë pjesë në këtë proces por është një sasi e madhe materialesh. Ne ende nuk jemi operacional si ekip i mbrojtjes. Mbrojtja konfirmon se synon që kryej hetimet e veta, por s’mund t’u jap një informacion për kohëzgjatjen e aktiviteteve hetimore. Ne kemi ndërmend që të bëjmë kategorizimin specifik për këtë çështje”, tha avokati Jean-Louis Gillissen.
“Dëshirojmë që të propozojmë disa nënkategori shtesë. Kërkojmë që në mbështetje të aktakuzës të na vijnë sa më shumë dhe shpejt materialet. Deri tash ka qenë një procedurë e njëanshme, mirëpo tani dëshirojmë që të kemi procedurë ballafaquese me pjesëmarrjen e të dyja palëve. Dëshirojmë që të marrim parashtrimet dhe transkriptit të seancës dhe procedurave të shkuara për të pasur një informacion të plotë mbi procedurën. Ne jemi në dijeni se emrat e viktimave duhet t’i dijë zoti Shala, prandaj dëshirojmë një procedurë të ballafaqimit”, thotë mbrojtja.
Prokurorja e rastit tha se në këtë çështje janë katër dëshmitarë, deklaratat e të cilëve janë mbështetëse në aktakuzë, teksa parashikohet që të thirren edhe tetë të tjerë.
“Ne parashikojmë që na kanë mbetur shumë pak hapa hetimor në këtë proces. Ne do të prezentojmë dhe kemi paraqitur katër dëshmitarë, dhe parashikojmë që do të prezentojmë edhe tetë dëshmitarë të tjerë shtesë. Kjo gjithashtu është pjesë e informacioneve që ua kemi dorëzuar dje”, tha ai.
“Ne kemi paraqitur një zbërthim të materialeve mbështetëse ku janë deklarata të dëshmitarëve, reporte, urdhëra dhe materiale tjera. Presim që materiale tjera që do prezentohen do të jenë në ngjashmëri me këto”, tha tutje Prokurorja.
12:11 – Prokuroria: Kemi 4 dëshmitarë që mbështesin aktakuzën ndaj Pjetër Shalës, parashikojmë edhe 8 të tjerë
Seanca e radhës e Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, ka filluar, njofton Insajderi.
Prokurorja e rastit ka bërë të ditur se janë paraqitur katër dëshmitarë që mbështesin aktakuzën ndaj Shalës me prova materiale.
“Ne kemi paraqitur katër dëshmitarë me materiale që e mbështesin aktakuzën dhe parashikojmë tetë të tjerë shtesë”.
“Kemi paraqitur një zbërthim të asaj se çfarë përmbajnë materialet mbështetëse në thelb: deklarata të dëshmitarëve, raporte, urdhra dhe materiale të tjera”.
“Janë 21 dokumente, ku secila deklaratë mund të ketë dokumente të tjera. Përkthimi ka përfunduar për disa prej dokumenteve dhe parashikojmë që do të përfundojnë brenda afatit ligjor 30-ditor. Në lidhje me materialet që kanë të bëjnë me dëshmitarin, do të bëhet gjithçka që është e mundur që të nxjerrim këto materiale shumë shpejt”, është shprehur ajo. /Insajderi.com