Prokuroria kërkon paraburgim për dy vëllezërit nga Malisheva që gjuajtën 22 herë me armë derisa një person po punonte tokën

Prokuroria kërkon paraburgim për dy vëllezërit nga Malisheva që gjuajtën 22 herë me armë derisa një person po punonte tokën

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj L.B., dhe E.B., me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penalte të vrasjes në tentative”.

Prokuroria, më 30 tetor, ka njoftuar se në fshatin Shkozë të Malishevës, i pandehuri L.B, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta A.B., pas një konflikti lidhur me një kontest civil ku thuhet se i pandehuri L.B, e ka gjuajtur me armë 22 herë të dëmtuarin A.B, por nuk ka arritur ta qëllojë.

“Derisa i dëmtuari ishte duke punuar tokën e tij,  i pandehuri L.B., nxjerr armën dhe gjuan në drejtim të tij 22 herë, por nuk arrin ta qëllojë. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”.

Ilustrim.

“Po ashtu, i  pandehuri L.B., pa autorizim, ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me çka ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragraf 1 i KPRK-së”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Ndërsa, E.B., sipas prokurorisë, me dashje ka ndihmuar vëllaun e tij, L.B, në kryerjen e veprave penale, ku më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Me këto veprime ka kryer  veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe me nenin 33 të KPRK-së”.

“Prokurori i rastit  ndaj dy të pandehurve ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 30 tetor 2021”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Prokuroria Themelore e Gjakovë. /Insajderi.com