Prokuroria kërkon paraburgim për policin që keqtrajtoi 18-vjeçarin

Prokuroria kërkon paraburgim për policin që keqtrajtoi 18-vjeçarin

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar paraburgim për zyrtarin policor që ka keqtrajtuar 18-vjeçarin gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare gjatë vitit 2018, njofton Insajderi.

Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie ka kërkuar paraburgim prej një muaji për zyrtarin policor, Haris Kelmendi i cili në vitin 2018 kishte keqtrajtuar një qytetar në stacionin policor gjatë detyrës zyrtare.

Siç bëhet e ditur tutje në njoftimin e prokurorisë, i njëjti është ndaluar pasi dyshohet se pas lirimit nga ndalimi, ka penguar zhvillimin e të provuarit në procedurë, duke i bërë thirrje të dëmtuarit-dëshmitarit që ta tërheqë deklaratën e tij të dhënë në polici dhe duke i penguar hetimet.

Njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, më 30 janar 2021, ka ndaluar personin me inicialet H.K., zyrtar policor, i cili në vitin 2018, kishte keqtrajtuar një qytetar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. I njëjti është ndaluar, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”, nga neni 386, paragrafi 1 pika 1.7 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Personi i lartpërmendur, dyshohet se pas lirimit nga ndalimi, ka penguar zhvillimin e të provuarit në procedurë, duke i bërë thirrje të dëmtuarit-dëshmitarit që ta tërheqë deklaratën e tij të dhënë në polici dhe duke i penguar hetimet.

Prokurori i Shtetit, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin, në gjykatën kompetente. /Insajderi.com