Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit e vrasjes së ish-ushtarit të UÇK-së në Drenas

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit e vrasjes së ish-ushtarit të UÇK-së në Drenas

Leutrim Syla, i dyshuari kryesor për vrasjen e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qamil Demiri, në fshatin Nekoc të Drenasit është vetëdorzuar në polici gjatë ditës së djeshme, gjë për të cilën PK ka njoftuar se në prangat e tyre ndodhen edhe dy të tjerë, njofton Insajderi.

Për të dyshuarit, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Këtë informacion e ka bërë të ditur Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për dy persona të dyshuar, lidhur me vrasjen e rëndë në Drenas, po ashtu, prokurori kundestar i Departamentit për të Mitur të kësaj prokurorie ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një të dyshuar (i mitur), lidhur me këtë rast”, tha Ulaj.

I dyshuari kryesor, Leutrim Syla, djali i të dënuarit në rastin “Bllaca 2”, Shaban Sylës, ka deklaruar se nuk e ka pasur për qëllim ta vras dhe as ta lëndojë askënd. /Insajderi.com