Nga e hëna, 25 tetor deri më 29 tetor, do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit” me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”, përcjell Insajderi.com.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kjo Javë do të fillojë me një konferencë për media të kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi, e më pas për të vazhduar me fjalën e rastit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Konferenca e Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit do të fillojë me fjalën e mirëseardhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi, për të vazhduar me fjalën e rastit të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, Ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu,
Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Jetish Maloku, Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Enver Peci, përfaqësuesit të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, z. John Hanley dhe Menaxherit të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, z. Basri Kastrati”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Kurse, nga 26 deri më 29 tetor do të mbahen sesionet e Javës që do të zhvillohen online, ku do të diskutohen tema të ndryshme.
“Ndërkaq, nga data 26 deri më 29 tetor, do të mbahen sesionet e Javës, të cilat do të zhvillohen online nëpërmjet platformës Zoom, ku do të diskutohen tema të ndryshme, si: 26 tetor 2021: ”Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër dhunës në familje”; 27 tetor 2021: “Konfidencialiteti dhe ruajtja e privatësisë së viktimave të krimit”;
28 tetor 2021: “Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër trafikimit të njerëzve” dhe 29 tetor 2021: “Trajtimi i kryesve të dhunshëm me varësi nga droga, alkooli dhe me probleme të shëndetit mendor” “, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Folës dhe pjesëmarrës në sesionet e kësaj Jave do të jenë përfaqësues të institucioneve të ndryshme në nivel vendi, aktivistë të shoqërisë civile, përfaqësues të mediave dhe partner vendorë dhe ndërkombëtarë./Insajderi.com