Në seancën paraprake, prokurori i shtetit Rexhep Maqedonci ka paraqitur kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë me anë të së cilës kërkohet që deputetit Milaim Zeka, t’i caktohet paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Maqedonci ka thënë se me kanosjen që i dyshuari Zeka i ka bërë prokurorit Afrim Shefkiu, tek ky i fundit ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe të ankthit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Me 24 shtator, i pandehuri në emisionin “Dpd te Fidani” e ka kanosur prokurorin Afrim Shefkiu për shkak të kryerjes së detyrës zyrtare, për të cilën ka ngritur aktakuzën kundër të dyshuarit Milaim Zeka. Kjo ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe të ankthit tek i dëmtuari, prokurori Afrim Shefkiu”, ka deklaruar prokurori Maqedonci.
Sipas tij, tani janë plotësuar kushtet ligjore që të dyshuarit t’i caktohet masa e paraburgimit.
“Pas kallëzimit penal, provave materiale, deklaratës së të pandehurit Zeka dhe të dëmtuarit, kjo prokurori pretendon se te i akuzuari ka dyshim të bazuar mirë se e ka kryer veprën penale të kanosjes. Kjo vërtetohet nga video-incizimet e emisionit. Rreziku i ikjes ekziston sepse nëse i pandehur gjendet në liri, ka rrezik të ikë pasi e ka kanosur prokurorin me të cilin me 2 tetor do të mbahet seanca kundër të pandehurit. Për këtë arsye, i pandehuri mund të mos i përgjigjet ftesës së Gjykatës. I pandehuri prokurorit Shefkiu i është kanosur për një situatë të ardhshme dhe në të ardhmen ekziston rreziku që të kryhet vepra e njëjtë ose një vepër tjetër penale”, ka përfunduar prokurori Rexhep Maqedonci.
Por, vetë Milaim Zeka ka kundërshtuar ta ketë kërcënuar prokurorin Afrim Shefkiu.
“Unë nuk kam kërcënuar asnjëherë dhe unë nuk kërcënoj njerëz. Njeriu i fundit në botë që do ta kërcënoja është Afrim Shefkiu. Gjatë marrjes në pyetje prokurori ka qenë shumë korrekt dhe profesional. Edhe atij në prezencën e avokatit dhe gjyqtarit Isuf Makolli i kam thënë se është viktimë e drejtpërdrejtë e Aleksandër Lumezit dhe Vehbi Kajtazit, që sipas meje ky i fundit është Kryeprokurori i Kosovës. Kur kam thënë për prokurorin, nuk e kam pasur fjalën për Afrim Shefkiun, por për Hashim Thaçin, Aleksandër Lumezin dhe Kadri Veselin, sepse prokurori që ma ka ngrit akuzën ‘de facto’ është Aleksandër Lumezi. Sa i përket asaj që kam thënë “privatisht”, edhe Hashim Thaçi ka thënë se do të merrem me kanun me Gani Gecin e Haki Ymeri. Kanunin si të drejtë zakonore e kanë njohur edhe gjyqtarët e EULEX-it. Sa i përket “me kanun”, kjo do të thotë marrëveshje dhe pajtim. Nëse Kosova do të bëhet anëtare e Gjykatës së Strasburgut, me padi private do t’i ndjek të gjithë ata që ma kanë montuar këtë rast. Po të kisha diçka ndaj Afrim Shefkiut do të kërkoja nga avokatët e mi për të kërkuar përjashtimin e prokurorit”, ka deklaruar deputeti Milaim Zeka.
Mbrojtësi i të pandehurit Milaim Zeka, avokati Florent Latifaj, ka thënë se nga fjalët e klientit të tij, nuk janë përmbushur elementet e veprës penale të kanosjes.
Ai thotë se fjalët e të pandehurit “me kanun dhe privatisht” prokuroria i ka interpretuar ashtu siç ka dashur vetë.
Sipas Latifajt, kjo kërkesë më shumë bëhet për ta privuar klientin e tij për shkak të një rasti tjetër, se sa për kanosje.
Latifaj ka thënë se në këtë rast prokuroria është duke aplikuar standarde të dyfishta.
“Për dikend po bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit, e për dikënd nuk po fillohet fare procedura. Ka pasur raste kur janë fyer shumë prokurorë duke i quajtur edhe b…të k….Kjo mund të quhet drejtësi selektive”, ka shtuar Latifaj.
Latifaj ka përfunduar duke thënë se sikur Milaim Zeka të kishte qëllim t’i shmangej drejtësisë, ai do të kishte ikur qysh moti.
Vendimi për caktimin e paraburgimit, do të merret rreth orës 15:00.
Milaim Zeka është arrestuar të mërkuren për shkak të kërcënimit të prokurorit Afrim Shefkiu.