Prokuroria Themelore në Ferizaj ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se prokuroria dhe gjykata janë treguar të papërgjegjshme në rastet e mëparshme të Dardan Kriqevës, i cili dyshohet se vrau gruan e tij, M.O., të dielën në Ferizaj, njofton Insajderi.com.
Nga kjo prokurori thonë se deklaratat e Sveçlës janë të paqëndrueshme, “shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike”.
“Për dijeninë e Ministrit të Punëve të Brendshme, Prokuroria është organ kushtetues ndjekës dhe kompetencat e ndara duhet t’i dallojë dhe aq më shumë edhe t’i kuptojë. Po ashtu ia bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Ferizaj çdo herë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të pandehurit D.K dhe se në të gjitha rastet ndaj tij ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në komunikatë.
Tutje u bë thirrje ndaj bartësve të institucioneve ekzekutive që të përmbahen nga deklaratat e tyre “të pamatura, tendencioze dhe të pakonfirmuara”, sepse kjo qasje nuk i shërben askujt.
Ndryshe, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se dy hallka që kanë qenë të papërgjegjshme në rastet e Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut janë Prokuroria e Gjykata, duke shtuar se Policia e ka kryer punën e tyre.
Ai tha se nuk mund të pajtohet me parullën e protestuesve, “Ministria i ka duart me gjak”, sepse siç tha ai, Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e M.O., në një kohë shumë të shkurtër.
“Është e drejtë e tyre për të protestuar, siç është e drejtë e tyre për të qenë të mllefosur siçjemi edhe ne për këtë ngjarje dhe të tjera të kësaj natyre. Nuk pajtohem me çdo parullë e kërkesë të tyre, por patjetër që pajtohemi që është e drejtë e tyre për të shpalosur këto kërkesa”, tha Sveçla.
“Policia e Kosovës në raport me këtë kriminel është sjelur ashtu siç është kërkuar, sipas indicieve të para, janë dy hallka tjera që kanë qenë të papërgjegjshme, që janë prokuroria e Gjykata”, u shpreh Sveçla.
Në Ditën e Barazisë Gjinore është mbajtur protesë para Qeverisë së Kosovës, objektit të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të Punëve të Brendshme lidhur me vrasjet e grave dhe trajtimin e këtyre rasteve. /Insajderi.com