Prokuroria nuk jep detaje për motivin e vrasjes së dyfishtë në Pejë

Prokuroria nuk jep detaje për motivin e vrasjes së dyfishtë në Pejë

Prokuroria në Pejë nuk ka dhënë detaje lidhur me motivin e vrasjes në mbrëmjen e së mërkurës, ku mbetën të vdekur kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të kësaj komune, Astrit Ademaj, dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit, Blerand Kadrijaj, njofton Insajderi.com.

Në një konferencë për media, zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, duhet të jenë të rezervuar dhe mos të japin asnjë informatë deri në përfundimin e hetimeve.

Po ashtu, Nikçi shtoi se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy armë zjarri dhe gëzhojat që janë përdorur në këtë rast.

“Mbrëmë si pasojë e të shtënave me armë zjarri dy kanë vdekur e një ka mbetur i plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur organet përgjegjëse. Sot gjatë ditës kryeprokurori së bashku me prokuroren kanë dalë ne vendngjarje. Janë sekuestruar dy armë dhe gëzhojat që janë përdorur për personat e vrarë”, ka thënë ai.

Tutje, ai shtoi se trupat e viktimave janë dërguar për Obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar në disa pista.

Ndryshe, në mbrëmjen e së mërkurës, në Pejë, mbetën të vdekur Blerand Kadrijaj dhe Astrit Ademaj, si dhe i plagosur mbeti vëllau i këtij të fundit, Avni Ademaj./Insajderi.com