Prokuroria Themelore e Prizrenit ka dhënë detaje lidhur me vrasjen e 15-vjeçarit gjatë ditës së djeshme në Prizren, njofton Insajderi.
Nëpërmjet një komunikate për media, Prokuroria ka njoftuar se në bazë të informacioneve, njëri nga sulmuesit e kishte goditur viktimën me mjet të prehtë përkatësisht me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, e cila ka rezultuar me pasoja fatale për viktimën.
“Nga informacionet fillestare rezulton se në rastin konkret të miturit e përfshirë në përleshje kanë poseduar një armë zjarri dhe dy thika. Momentalisht, prokurori kujdestar së bashku me policinë janë duke bërë hetime, për të zbuluar motivet e ngjarjes dhe për ta zbardhur rastin në tërësi”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata që ndaj të miturit që ka shkaktuar vrasjen të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa dy të miturit e tjerë, që kanë marrë pjesë në përleshje, janë liruar në procedurë të rregullt. /Insajderi.com