Prokuroria sot vendos për shoferin e autobusit që u aksidentua në Kroaci

Prokuroria sot vendos për shoferin e autobusit që u aksidentua në Kroaci

Prokuroria e Shtetit e Qarkut të Slavonski Brod, pritet të marrë sot vendim lidhur me masën e paraburgimit ndaj shoferit të autobusit që dyshohet se ka shkaktuar aksidentin e rëndë në autostradë pranë këtij qyteti, ku mbetën të vdekur 10 persona, transmeton Insajderi.

Ai përgjatë ditës së djeshme është marrë në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit në Kroaci, ndërsa sot vendimi ndaj tij merret në orën 09:00.

Siç raporton e përditshmja kroate “Index.hr”, i dyshuari është mbrojtur në heshtje, derisa i është caktuar një avokat mbrojtës, sipas detyrës zyrtare.

Pas marrjes në pyetje, shoferi 52-vjeçar është kthyer sërish në mbajtje.

Ai mund të dënohet deri në 15 vjet burgim për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm në komunikacion”.

Dyshohet se aksidenti tragjik është shkaktuar pasi shoferin e ka zënë gjumi për një moment dhe më pas autobusi ka dalë jashtë autostradës dhe është rrokullisur.

10 persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në aksidentin e autobusit, i cili po vinte nga Frankfurti për në Prishtinë. /Insajderi.com