Prokuroria Speciale kërkon paraburgimin e të arrestuarve në aksionin ku u sekuestruan 400 kg kokainë

Prokuroria Speciale kërkon paraburgimin e të arrestuarve në aksionin ku u sekuestruan 400 kg kokainë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sot, e martë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e paraburgimit të shtatë personave, të cilët janë ndaluar më 17 maj 2021, lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kilogramë narkotikë të llojit kokainë, përcjell Insajderi.

Kërkesa është bërë për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, “Mbajta ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria Speciale kërkesën e ka bërë për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 277 paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprën penale ‘Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ nga neni 269 paragrafi 1 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.1 dhe 1.9 të  KPRK-së dhe në drejtim të veprës penale ‘Mbajta ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve;’ nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërkohë, policia ka njoftuar se përveç 400 kilogramëve kokainë, gjatë së hënës në Lipjan janë konfiskuar edhe revole, fishekë, telefona celularë, kompjuterë, para kesh e veturë.

Substanca e dyshuar narkotike e llojit kokainë, bashkë me mjetet e tjera, janë gjetur nga Drejtoria e Hetimeve të Trafikimit me narkotikë në koordinim me policinë italiane dhe shqiptare, pas një hetimi të përbashkët gjatë kontrollit në depon e një kompanie./Insajderi.com