Prokuroria ta hetojë mazutin toksik në Maqedoninë e Veriut

Prokuroria ta hetojë mazutin toksik në Maqedoninë e Veriut

Pas publikimit të skandalit me naftën për ngrohje nga Loboratorit për Gazetari Hulumtuese (IRL), ku në vend të mazutit janë importuar derivate toksike në Maqedoninë e Veriut, koalicioni opozitar shqiptar  Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë akuzuar pushtetin aktual në shtetin fqinj se është i vendosur të kënaq biznes intereset e veta edhe me çmimin e helmimit dhe rrezikimit të jetës së qytetarëve, duke përmendur këtu ish zëvendës-kryeministrin e RMV- së  Koço Angjushev.

Ky i fundit në hulumtim ishte përmendur se ka përdorur në kompaninë e tij private derivatet e rrezikshme.

“Qeveria e vendit tonë, me vetëdije dhe më qëllim përfitimi ka helmuar qytetarët e saj për tre vite me radhë. Prandaj, e pyesim publikisht Kryeministrin Zaev: Si është e mundur që më qindra e mijëra tonelata mbetje toksike të derivateve të rënda të kalojnë në kontrollin doganor dhe askush mos ta hetojë këtë për tre vite me radhë? Cili është roli juaj si njeri i parë i Qeverisë, kur tani më dihet publikisht se ish zëvendësi dhe miku juaj Angjushev ka ndërmjetësuar partneritetin mes firmës furnizuese Evrotim nga Kërçova dhe Hifa Oil nga Bosnja?” tha Bujare Abazi,nga opozita shqiptare ASH&AA.

Nga opozita shqiptare thanë se Qeveria LSDM-BDI në vitet 2018 dhe 2019 kur Shkupi, Tetova dhe Kavadari ishin qytetet më të ndotura në botë, ministri i Mjedisit dhe zëvendës-kryeministri Angjushev i akuzonin qytetarët se po e ndotin ajrin si pasojë e ngrohjes me dru. Por, sot shtoi Abazi, u kuptua se ata paskan qenë ndotësit dhe vrasësit e vërtetë të qytetarëve duke i helmuar me vetëdije me qëllim të përfitimit personal.

“Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa i bën thirrje Prokurorisë Publike që të ndërmarrë masa në përputhshmëri me ligjin për skandalin në fjalë, me qëllim identifikimin e fajtorëve duke filluar nga Kompania furnizuese Evrotim, Drejtoria e Doganave, inspektorati i mjedisit, Inspektorati i tregut, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mjedisit dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë” tha Abazi.

Sipas storjes televizive të redaksisë së Laboratorit të Gazetarisë Hulumtuese e publikuar në TVM, ndotja e lartë e ajrit në vend është shkaktuar nga tonelata karburant të rrezikshëm që në mënyrë të rrejshme është treguar si mazut. Atë e kanë përdorur edhe institucionet shtetërore në vendin fqinj.

Sipas storjes, kompania “Eurotim” nga Kërçova, ka furnizuar institucione me mazut, që në fakt ka qenë vaj i djegur që ndot ajrin. Atë e ka marrë nga kompania boshnjake “Hifa Oil”, ndërsa ata e kanë marrë atë nga kompania çeke “Unipetrol”. /Insajderi.com