Prokuroria: Të arrestuarit për rastin në Lipjan ishin në dijeni se në kamion kishte narkotikë

Prokuroria: Të arrestuarit për rastin në Lipjan ishin në dijeni se në kamion kishte narkotikë

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të arrestuarit për rastin e 400 kilogramëve substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, të cilat u sekuestruan gjatë së hënës në Lipjan, kanë qenë në dijeni se në kamionin e ardhur nga Brazili ka pasur narkotikë.

Një pretendim të tillë, PSRK e ka theksuar në kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj shtatë të arrestuarve, për të cilën kërkesë, të mërkurën është mbajtur seanca në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kërkesa për caktim të paraburgimit është bërë nga PSRK për Izet Sheqirin, Kadri Sheqirin, Kadri Ibrahimin, Fehmi Bytyqin, Faton Vrajollin, Enver Belegun dhe Bajram Maliqin.

Të gjithë këta po dyshohen se kanë kryer veprën penale, pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal lidhur me veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, Izet dhe Kadri Sheqiri po dyshohen edhe për armëmbajtje pa leje./Insajderi.com