Prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale ndaj biznesmenëve të akuzuar për ndërtime ilegale

Prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale ndaj biznesmenëve të akuzuar për ndërtime ilegale

Prokuroria Themelore në Prizren, të mërkurën, ka hequr dorë nga ndjekja penale për biznesmenët Zyber Halili, Afrim Selimi, Selim Selimi, Hasan Rahmanaj, Mustaf Shala dhe Arafat Abazaj, të akuzuar për ndërtime të paligjshme. Ndërsa, ka qëndruar pranë akuzës për inspektorin komunal të ndërtimit, Bashkim Krasniqi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Prokurori i rastit, Genc Nixha, gjatë shqyrtimit të dytë, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ka thënë se duke u bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit për kthimin e kësaj lënde në rigjykim dhe rekomandimeve që dalin nga ai vendim, prokuroria tërhiqet nga ndjekja penale për të akuzuarit në fjalë.

Nixha ka shtuar se heqja dorë bëhet pasi që në veprimet e të akuzuarve nuk ka elemente të veprës penale të punimeve të kundërligjshme. Ai, tutje ka thënë se ndaj të akuzuarit Bashkim Krasniqi, aktakuza mbetet e pandryshuar.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bashkim Krasniqi, avokati Rasim Krasniqi, ka njoftuar kryetarin e trupit gjykues se prokurori nuk e ka kryer obligimin e shpalosjes së provave që përmban aktakuza, andaj ka kërkuar që seanca të shtyhet.

Krasniqi ka thënë se klienti i tij, nuk mund të deklarohet rreth çështjes, sepse nuk ka parë provat që posedon organi i akuzës. Ai, po ashtu, i ka bërë ftesë prokurorit që të hyjnë në negociata për pranimin e fajësisë.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka pranuar kërkesën e avokatit mbrojtës dhe seancën e ka shtyrë për 30 tetor 2017, në ora 13:00, ndërsa, prokurorin e ka obliguar që t’ia dorëzojë të akuzuarit dhe avokatit të tij, të gjitha provat në të cilat mbështetet aktakuza.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila në nëntor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, ku i akuzon për ndërtim të paligjshëm dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zyber Halili, Afrim Selimi, Selim Selimi, Hasan Rahmanaj, Arafat Abazaj dhe Mustaf Shala, akuzoheshin se në cilësinë e pronarëve dhe investitorëve, kanë tejkaluar lejet e ndërtimit, në objektet e tyre banesore, ku secili prej tyre ka shtuar nga një kat më shumë se leja e ndërtimit.

Ndërsa, Bashkim Krasniqi, akuzohet se në cilësinë e inspektorit të ndërtimit, nuk ka vepruar në pengimin, ndalimin apo rrënimin e ndërtimit të kateve shtesë, me ç’rast u ka mundësuar përfitim material ndërtuesve në fjalë dhe i ka shkaktuar dëm material Komunës së Prizrenit.

Gjykata Themelore në Prizren, në shkurt të këtij viti, në bazë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, i ka dënuar të gjithë me nga 6 muaj burgim efektiv, të cilin dënim, me kërkesë të tyre, e ka zëvendësuar me dënim me gjobë prej 20 mijë euro për ndërtuesit, ndërsa 10 mijë euro për inspektorin Krasniqi.

Mbrojtësit e të akuzuarve, brenda afatit ligjor, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë kundërshtuar lartësinë e dënimit në të holla, duke pretenduar se lartësia e dënimit në të holla do të duhej të llogaritej 20 euro për një ditë burgim.

Por, përkundër që ankesa kishte të bënte vetëm me lartësinë e dënimit, Gjykata e Apelit, më 12 qershor 2017, sipas detyrës zyrtare ka shqyrtuar edhe provat e lëndës, andaj ka marrë vendim që rasti tërësisht të kthehet në rigjykim.

Sipas Apelit, marrëveshja për pranimin e fajësisë nuk është bazuar në provat dhe faktet që përmban aktakuza andaj nuk është dashur të pranohej nga gjykata e shkallës së parë sepse, sipas tyre, vërehet se në veprimet e të akuzuarve ka veprime të cilat mund t’i shfajësojnë nga veprat penale me të cilat ngarkohen./Betimi për Drejtësi/