Prokuroria thotë se Liburn Aliu ka qenë i njoftuar për aktakuzën

Prokuroria thotë se Liburn Aliu ka qenë i njoftuar për aktakuzën

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë të ditur se zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, tash ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kishte qenë në dijeni për ngritjen e aktakuzës për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, përcjell Insajderi.

Në një komunikatë për medie, Prokuria njofton se Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion më 23 prill 2018, ka pranuar kallëzim penal ndaj personave L.A., A.O., Z.R., N.K., B.U., M.B., në atë kohë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar””.

Tutje, bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit, më datë 17.04.2019, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimit, me ç’ rast i ka zhvilluar të gjitha hetimet lidhur me këtë rast, ka dëgjuar të gjithë të pandehurit veç e veç, (më datë 05.08.2019 është dëgjuar i pandehuri L.A.) dhe në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara më 24.07.2020, ka ngritur aktakuzë për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe se të njëjtën aktakuzë e ka proceduar në gjykatën kompetente për procedim të mëtejmë.

“Pretendimet se i pandehuri L.A. (Liburn Aliu), nuk është pajisur me aktakuzë nga ana e Prokurorisë, nuk qëndrojnë, sepse nëse i referohemi Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, aktakuza i paraqitet gjykatës kompetente në aq kopje sa ka të pandehur dhe mbrojtës të tyre dhe një kopje shtesë për gjykatën. Gjithashtu, gjykatës i dërgohet edhe lënda komplete e hetimit nga prokurori i shtetit, nga neni 242, paragrafi 1 i KPP-së”, thuhet më tej në komunikatë.

“Në momentin kur aktakuza dërgohet në gjykatë, e njëjta obligohet t’i pajisë palët në procedurë me aktakuzë. Gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues i jep kopjen e aktakuzës të pandehurit apo të pandehurve, nëse ata nuk i kanë pranuar këto kopje të aktakuzës më parë, neni 245, paragrafi 2 i KPP-së, çka d.m.th. se me aktakuzë palët i pajisë Gjykata kompetente”, përfundon komunikata për media.

Ndryshe, ministri i ri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Liburn Aliu ka mohuar se ndaj tij ekziston një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës./Insajderi.com