Prokuroria thotë se vrasja e Ivanoviqit u krye nga një grup i organizuar

Prokuroria thotë se vrasja e Ivanoviqit u krye nga një grup i organizuar

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur procesi gjyqësor në rastin për vrasjen e ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Me fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj, njoftoi të gjithë të pranishmit se deri sa të lexohet aktakuza mediet mund të rrinë në sallë, duke shtuar se pas kësaj, nuk lejohet xhirimi më tutje.

“Mediet mund të marrin pamje deri sa të lexohet akti akuzues, ndërsa për pjesën tjetër gazetarët mund të rrinë në sallë, por me xhiruar nuk munden”, tha gjykatësi Kurtaj.

Ndërsa prokurori Burim Çerkini ka lexuar aktin akuzues për të akuzuarit, duke shtuar se vrasja u krye nga një grup i organizuar.

“Të pandehurit nga viti 2014/18 me datën 16 janar 2018 në qytetin e Mitrovicës duke vepruar si grup i organizuar nën udhëheqjen e Rajdonçiq të gjithë të pandehurit kanë vepruar me dashje dhe në dijeni për të kryer veprën e vrasjes së rëndë dhe kanë kryer veprime inkrimuese dhe sipas veprimeve të tyre ka ardhur deri te vrasje e Oliver Ivanoviq”.

Zharko Jovanoviq si dhe Nadeljko Spasojeviq kanë pranuar fajësinë për mbajtje të armës në mënyrë të pa autorizuar.

Avokati i Rade Basara, Tomë Gashi ka thënë se ai për 8 rreshta aktakuzë është mbajtur në paraburgim 16 muaj dhe që sipas tij, kjo është e padrejtë. Gashi ka kërkuar që Basara të lirohet nga paraburgimi.

“Propozoi t’i ndërpritet masa e paraburgimit me masat të tjera”.

Kurse Rade Basara, tha se kishte qenë jashtë shtetit kur u bë vrasja më 16 janar të viti 2018.

“Nuk jam fajtor se në atë moment kur është bërë vrasje kam qenë në Kroaci”, tha ai.

Të akuzuar në këtë rast janë Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara dhe Dragisha Markoviq.

Ish- politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq, u vra më 6 janar të viti 2018./Insajderi.com