Prokurorja amerikane: Shqiptarët kontrabandonjë më pak njerëz sesa narkotikë

Prokurorja amerikane: Shqiptarët kontrabandonjë më pak njerëz sesa narkotikë

Cynthia Cordes ka qenë prokurore federale, e cila mban rekordin për numrin e lëndëve të rasteve të ngritura rreth e përqark Amerikës, që lidhen me rastet e trafikimit të qenieve njerëzore.

“Është një lloj i krimit ku agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të edukohen, të dinë se çfarë janë duke kërkuar dhe të hetojnë në mënyrë proaktive. Besoj se nëse i trajtoni viktimat e trafikimit me qenie njerëzore ashtu siç janë, pra si viktima, atëherë kjo do të përkthehet në të qenit në gjendje që këto raste me sukses të hetohen dhe të ndiqen penalisht”, ka thënë ajo, njofton Klan Kosova.

Cordes madje ka ngritur padi dhe ka fituar raste kundër trafikantëve që kanë abuzuar me qytetarë nga Kosova.

“Këtu në Kansas City, në Mizuri, kemi viktima nga Kosova, Bullgaria, Rumania. Njëri nga rastet më të mëdha ishte i përqendruar në një ndërmarrje ilegale afër sheshit publik në West Port, në Kansas”, ka thënë ajo ekskluzivisht për dokumentarin, “Trafikimi, lufta kundër skllavërisë moderne” të gazetarit Kushtrim Sadiku.

“Nëse viktimat nga vendi juaj arrijnë në Kansas City, në mes të SHBA-ve, atëherë ato do të arrijnë çdo kund. Atyre u ofrojnë mundësi në SHBA, gjë që në fakt nuk është vërtetë – mundësi për të punuar në industrinë e argëtimit, për të punuar në hotele apo motele. Dhe kur viktima arrin në SHBA, gjen situatë krejtësisht tjetër”, ka pohuar ajo.

Ajo ka thënë se grupet etnike shqiptare janë më tepër të përfshira në trafikim me narkotikë, jo aq shumë në trafikim me qenie njerëzore dhe kontrabandim të qenieve në SHBA.

“Janë pak të përfshirë në kontrabandim të qenieve njerëzore, por jo në trafikim të qenieve njerëzore. Kam bërë hulumtime në Belgjikë dhe Holandë, dhe në Evropë situata është tjetër.  Grupet etnike shqiptare janë përfshirë në masë të madhe në trafikim me qenie njerëzore dhe prostitucion, madje edhe në rregullimin e tregut më të rëndësishëm”.