Prokurorja Disha-Haxhosaj mohon se u “shpërblye” nga Haxhiu për shkak të rastit ndaj Haki Rugovës

Prokurorja Disha-Haxhosaj mohon se u “shpërblye” nga Haxhiu për shkak të rastit ndaj Haki Rugovës

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, ka mohuar raportimet në media se është “shpërblyer” me postin e anëtares në Komisionin për provimin e Jurispodencës, për shkak të arrestimit të kryetarit të Istogut, Haki Rugova.

Në një prononcim për Insajderi-n, Disha-Haxhosaj ka deklaruar se emërimi i saj në këtë komision është për shkak të punës së vazhdueshme dhe jo për shkak të lëndës së kryetarit në fjalë.

E njëjta prokurore ka pasur procedurë disiplinore dhe ndëshkim për shkelje të kodit të etikës.

Ndërkohë, ministrja Haxhiu të premten në konferencë për medie, është shprehur se para se ta emërojë prokuroren Disha-Haxhosaj në pozitën në fjalë, është njoftuar nga vetë ajo se ka masë disiplinore, por shtoi se kjo nuk e ka penguar.

Sipas Haxhiut, ajo është ndër prokuroret më të guximshme për t’i luftuar kriminelët.

“Para se ta caktojë Valbona Disha-Haxhosajn si anëtare, dhe kur i kam bërë ftesë asaj jam njoftuar nga zonja prokurore se ndaj saj ka një masë disiplinore. Edhe ndaj kësaj unë kam vendosur që ajo të jetë anëtare e Komisionet të Dhënies së provimit të jurisprudencës. Për mua ajo është një ndër prokuroret më të guximshme që i ka Këshilli Prokurorial i Kosovës”, ka thënë ajo. /Insajderi.com