Prokurorja në pushim vjetor, dështon gjykimi për korrupsion ndaj drejtorit të firmës “Imobiliare Friuli”

Prokurorja në pushim vjetor, dështon gjykimi për korrupsion ndaj drejtorit të firmës “Imobiliare Friuli”

Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj drejtorit të firmës “Imobiliare Friuli”, Aziz Tafaj, i cili po pretendohet se përmes paraqitjes së rreme dhe fshehjes së fakteve i kishte mashtruar disa aksionarë italianë, duke i fryrë çmimet e blerjes së patundshmërive në Prishtinë dhe Lipjan, për interes të kësaj firme, edhe pse çmimet reale, sipas aktakuzës, kishin qenë dyfishë me të lira.

Për këto veprime, Tafaj ngarkohet me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Shkak i shtyrjes së seancës të së hënës, ishte mungesa e prokurores Merrushe Llugiqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj njoftoi se prokurorja Llugiqi, më 13 qershor 2019, me anë të një parashtrese e kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të ishte e pranishme në këtë seancë për shkak se gjendej në pushim vjetor.

Ajo tha se për mos mbajtjen e kësaj seance janë njoftuar edhe të dëmtuarit Gian Paolo Gortanit, Andrea Gortanit dhe Maria Teresa Tondato, në mënyrë që të mos krijoheshin shpenzime për shkak se jetonin në Itali.

Ndërkaq, prezent në këtë seancë kanë qenë i akuzuari Tafaj dhe mbrojtësja e tij, avokatja Shpresa Berisha- Rexhepi.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 16 gusht 2019, në ora 09:00.

Në këtë rast, për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare akuzohej edhe Lulzim Berisha, mirëpo për të gjatë seancës së 7 majit është hudhur aktakuza, si dhe është pushuar procedura penale për shkak se është arritur parashkrimi absolut.

Ai pretendohej se në cilësinë e auditorit në firmën “Imobiliare Friuli”, i kishte ndihmuar të akuzuarit Tafaj edhe pse e kishte ditur gjendjen reale të çmimeve të blerjes së patundshmërive, dhe ua kishte dërguar përmes fax-it palëve të dëmtuara bilancet e rreme.

Ndryshe, në seancën e 3 dhjetorit 2018, prokurorja Merrushe Llugiqi kishte bërë rikualifikimin e veprës penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit”, vepër sipas Kodit të Përkohshëm Penal, në veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës.

Pas këtij rikualifikimi, gjykata për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale e ka hudhur aktakuzën ndaj ish-kontabilistit të firmës “Imobiliare Friuili”, Habib Usaj dhe ekonomistit të firmës “Ital-Fer”, Njazi Devetaku, të cilët ngarkoheshin me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

E krejt kjo, pasi aktakuza ishte ngritur në kohën kur kishte qenë në fuqi Kodi i Përkohshëm Penal, dhe pasi kjo lëndë nuk kishte përfunduar kur kishte hyrë në fuqi Kodi i ri Penal.

Për të akuzuarin Tafaj, prokurorja Llugiqi rikualifikoi veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit”, në atë “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërkaq, për të akuzuarit Berisha, Usaj dhe Devetaku nga ndihmë në kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit”, në ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoriteti zyrtar.

Sipas aktakuzës së ngritur me 28 dhjetor 2011, i akuzuari Aziz Tafaj, në cilësinë e drejtorit të firmës “Imobiliare Friuli”, në vazhdimësi që nga muaji korrik 2007, e deri në janar 2010, në Prishtinë, me qëllim që vetes t’i sjellë për fitim të kundërligjshëm, i kishte shkaktuar dëm pasuror aksioneve të kësaj shoqërie.

Në aktakuzë thuhet se Tafaj përmes paraqitjes së rreme dhe fshehjes së fakteve i kishte mashtruar aksionarët Gian Paolo Gortanit, Andrea Gortanit dhe Maia Teresa Tondato, duke i fryrë çmimet e blerjes së patundshmërinë në rajonin e Prishtinës dhe Lipjanit për interes të firmës “Imobiliare Friuli”, edhe pse çmimet reale kishin qenë dyfish me të ulëta.

Kështu në kontratën e ndërrimit të një patundshmëri në Prishtinë, edhe pse vlera e ndërrimit më kontratë figuronte 120.000 euro, ai në bilancin e shoqërisë e kishte prezantuar çmimin prej 645.000 euro, për një patundshmëri në fshatin Matiqan, prej vlerës 200.000 euro, e kishte prezantuar në 547,500 euro, për patundshmërinë në fshatin Suhadoll vlera e blerjes në kontratë figuronte 9800 euro, ndërsa e kishte prezantuar 900.000 euro.

Në këtë mënyrë edhe pse çmimi real i blerjeve kishte qenë 603.976 euro, i akuzuari Tafaj e kishte përvetësuar shumën prej 2.270.524 euro.

Ndërkaq, i akuzuari Lulzim Berisha pretendohet se në cilësinë e auditorit në firmën “Imobiliare Friuli”, gjatë viteve 2007, 2008 dhe 2009, i kishte ndihmuar të akuzuarit Tafaj edhe pse e kishte ditur gjendjen reale të çmimeve të blerjes së patundshmërie, dhe ua kishte dërguar përmes fax-it palëve të dëmtuara bilancet e rreme.

I akuzuari Habib Usaj, dyshohej se me 9 gusht 2007, në cilësinë e kontabilistit të firmës “Imobiliare Friuli”, e kishte ndihmuar të akuzuarin Tafaj për përpilimin e një kontrate fiktive të shitblerjes së patundshmërisë për çmimin fiktiv prej 2.184.000 euro, kinse në mes tij si blerës dhe Novica Llaziq si shitës, kontratë të cilën i akuzuari Tafaj e kishte futur në kuadër të bilancit të firmës, duke informuar rrejshëm tre të dëmtuarit.

Për veprime të njëjta akuzohej edhe ekonomisti i firmës “Ital-Fer”, Njazi Devetaku, i cili dyshohej se kishte përpiluar një kontratë fiktive të shitblerjes së patundshmërisë në çmim prej 2.184.000 euro, kinse në emër të tij dhe Novica Llaziq si shitës, si dhe një dëftesë me konstatimin se ai ia kishte dorëzuar shitësit Llaziq shumën prej 2.184.000 euro.

Këtë dëftesë i akuzuari Tafaj e kishte futur në bilancin e firmës, duke i informuar rrejshëm të dëmtuarit në fjalë.

Prokuroria të akuzuarin Tafaj po e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërkaq të akuzuarit Lulzim Berisha, Habib Usaj dhe Njazi Devetaku me ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.