Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës ka kërkuar nga institucionet e vendit që nga muaji prill të lejohet puna e sallave të dasmave, njofton Insajderi.
Kryetar i kësaj ode, Hysen Sogojeva, ka thënë se puna do të bëhet duke i respektuar masat kundër përhapjes së Coronavirusit.
Sogojeva po ashtu ka paralajmëruar se në rast nëse do të ketë ashpërsim të masave, atëherë ata do të mbajnë protesta si dhe nuk do të respektojnë asnjë masë të re kundër COVID-19.
“Sipas disa informatave kemi paralajmërime të shtrëngimit të masave. Kemi marrë vendim që të ju kundërvihemi. Nën një nuk do t’i respektojmë apo zbatojmë çfarë do mase që lidhet me shtrëngime që lidhen me COVID-19, ne nuk do ta respektojmë. Ne kërkojmë që mos të ketë ndryshim apo kufizim të orarit”, ka deklaruar Sogojeva, në një konferencë për media.
Ai shtoi se “Reagimet që do t’i kemi do të jenë shumë të ashpra, duke filluar nga protestat dhe pa dëgjueshmëri totale. Nuk do të lëshojmë pe, është vërtetuar se hoteleria nuk kanë qenë vatër e infeksionit”./Insajderi.com