Pronari i restorantit që grushtoi punëtorin në Prizren është në liri

Pronari i restorantit që grushtoi punëtorin në Prizren është në liri

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka thënë se është duke e trajtuar rastin e Burim Sallaukës, pronarit të restorantit “Koha” në Prizren, i cili sipas një video që Insajderi publikoi para tri javësh, kishte sulmuar fizikisht njërin prej punëtorëve të biznesit të tij.

Ndonëse në videon e publikuar nga Insajderi shfaqet Sallauka duke e grushtuar punëtorin e kompanisë së tij, ai vazhdon të jetë i lirë.

Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Fitore Mehmeti ka deklaruar se rasti është duke u trajtuar.

“Duke u bazuar në kërkesën dhe në pyetjet tuaja, Prokuroria Themelore në Prizren ju konfirmon se me datë 13/02/2019 e ka pranuar kallëzimin penal për rastin në fjalë, dhe se i njëjti është duke u trajtuar nga Prokuroria. Andaj, sapo të kemi diçka konkrete do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjën e Prokurorisë.

Se Sallauka vazhdon të jetë i lirë, dëshmohet në rrjetin social Facebook, ku ai është mjaft aktiv.

Madje javën e kaluar ai është vizituar nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili qëndroi në restorantin që menaxhohet nga Sallauka.

Sallauka, përmes një fotografie të publikuar në Facebook, ishte shprehur i nderuar që në vizitë tek restoranti i tij, ka qenë kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli.

“Sot patëm nderin të na vizitojë kryetari i parlamentit të Kosovës zt.Kadri Veseli”, shkroi Sallauka në Facebook.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe biznesmeni që grushtoi punëtorin e tij, Burim Sallauka

Në videon të cilën e publikoi Insajderi rreth tri javë më parë, shfaqet biznesmeni Sallauka teksa thërret pranë punëtorin e tij, kamarierin e restorantit, dhe e godet me grushte. Sulmin fizik ndaj kamarierit të restorantit që ai menaxhon, Sallauka e vazhdon edhe në një hapësirë tjetër të restorantit, të pa incizuar nga kamerat.

I kontaktuar nga Insajderi, Sallauka fillimisht pati mohuar ta ketë kryer sulmin, derisa në një reagim për medie kishte thënë se sulmi kishte ndodhur para disa vitesh dhe jo gjatë këtij viti. /Insajderi.com

Për të parë videon, klikoni këtu: VIDEO