
Lidhja Demokratike e Kosovës, para pak minutave ka nisur mbledhjen e kryesisë.
Sipas burimeve të Insajderit, LDK pritet që ta refuzojë ofertën e fundit të Vetëvendosjes, në të cilën parashihej shtimi i numrit të ministrive nga 12 në 14.
Insajderi ka mësuar se LDK-ja do të kërkojë që kryeparlamentari t’i takojë asaj derisa të zgjidhet presidenti. Nëse zgjidhet presidenti, kryeparlamentari t’i kthehet VV-së, ndërsa nëse dështon, kryeparlamentari t’i mbetet LDK-së.
LDK pritet të kërkojë vetëm 5 ministri e jo më shumë.
Kujtojmë se Lëvizja Vetëvetndosje, të hënën i ka dërguar një ofertë LDK-së. Në këtë ofertë, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë gjashtë ministri, Lëvizja Veteëvendosje pesë, derisa minoritetet tri ministri.
Në këtë ofertë janë detajuar të gjitha pozitat që do të mbante secili subjekt.
“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zëvendëskryeministri i 2-të, një nën-kryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takonin Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet në propozim.
Lëvizja Vetëvendosje, në këtë propozim ka ofruar që LDK të ketë zëvendëskryeministrin e 1-rë, nënkryetarin e 1-rë të Kuvendit, 6 ministri, dy zv.ministra më shumë se LVV.