Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka deklaruar se propozimi i emrit nga presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, për shef të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë është i papranueshëm, ndaj dhe nuk do ta pranojë, transmeton Insajderi.
Sipas Hotit, kandidati që Osmani e ka propozuar nuk e ka përvojën e nevojshme për të marrë një përgjegjësi të tillë.
Hoti u shpreh se në këtë mandat qeverisës, presidenca dhe qeveria me shumë mundësi nuk do të arrijnë një marrëveshje për të zgjedhur drejtorin e këtij institucioni.
“Nuk jemi dakorduar. Nuk ka dakordim për personin që duhet të emërohet në pozitën e drejtorit të AKI-së. Nuk do të arrijmë që ta zgjedhim drejtorin në këtë mandat qeverisës. AKI-ja vazhdon punën e vet, pasi është zëvendësdrejtoresha e cila po e kryen punën e saj plotësisht.
Nuk do ta pranoj propozimin e Vjosa Osmanit. Nuk mund të pranoj njerëz, pa përvojën dhe maturitetin e nevojshëm për të marrë përgjegjësi të tilla, sepse është tepër e rëndësishme dhe e ndjeshme kjo pozitë. Unë vlerësoj që ai propozim nuk e ka dakordimin tim”, pohoi shefi i ekzekutivit në Klan Kosova.
Më 30 dhjetor të vitit që lamë pas, kryeministri Hoti kishte njoftuar se ia kishte dërguar ushtrues së presidentes propozimin për drejtorin e ri të AKI-së.
Duket se me këtë emër nuk u pajtua Vjosa Osmani, pasi presidenca ditë më parë njoftoi se Osmani ia ka dërguar Hotit propozimin e saj për të parin e AKI-së./Insajderi.com