Propozohen masa të reja anti-COVID në Maqedoninë Veriore

Propozohen masa të reja anti-COVID në Maqedoninë Veriore

Komisioni i Sëmundjeve Infektive i Republikës së Maqedonisë së Veriut diskutoi për masa të reja shtrënguese kundër Covid-19, njofton Insajderi.

Është shqyrtuar mundësia e kufizimit të kapaciteteve në transportin publik dhe kufizimi i punës së operatorëve ekonomik.

Ministri i Shëndetësisë i RMV-së, Venko Filipçe, thotë se gjatë fundjavës do të analizohet pasqyra epidemiologjike në vend dhe në rast se trendi i rritjes së rasteve të reja vazhdon, fuqizimi i masave do të propozohet nga dita e hënë.

“Mëngjesin e sotëm kemi dikutuar për paket shtesë për masa restriktive, që pas evolvimit të situatës ditëve në vijim dhe gjatë vikendit, nëse ka nevojë deri tek Qeveria do të propozohet paketi i ri të hënën”, tha Filipçe.

Ministri Filipçe theksoi se si masa shtesë janë propozuar, ndalim i plotë i organizimit të ngjarjeve, shkurtimi i orarit të punës për të gjitha subjektet ekonomike deri në orën 23:00, transporti publik të punojë me kapacitet të përgjysmuar.

Ndërkaq, kryeministri i këtij vendi, Zoran Zaev, i pyetur se si e komenton rritjen e rasteve të reja me Covid-19, theksoi se nuk mbështet një mbyllje të sërishme të vendit, por që qeveria do të respektojë të gjitha sugjerimet e Komisionit për Sëmundje Infektive.

“Të gjithë sugjerimet e reja që do të vijnë nga Komisioni do t’i respektojmë, njëkohësisht, personalisht unë nuk jam mbështetësi i “LOCK DOWN”, nuk jam mbështetës i mbylljes, nuk jam mbështetës i orës policore, por jam mbështetës për gjithçka që do të mund ta ndalte përhapjen e infeksionit”, tha kryeministri Zaev duke shtuar se zgjidhje më e mirë do të ishte nëse të gjithë respektojmë masat aktuale kundër Covid-19. /Insajderi.com