Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të marr praktika nga vendet me demokraci të zhvilluar, të cilat kanë organizuar zgjedhje në pandemi, në mënyrë që të ruhet shëndeti i qytetarëve gjatë organizimit të zgjedhjeve, transmeton Insajderi.
Kështu thotë Albert Krasniqi nga Demokracia Plus, derisa ka propozuar rritjen e numrit të qendrave të votimit, zgjatjen e orarit, por edhe zgjatjen e kohës së votimit në më shumë se një ditë.
“Do duhej të kishte konsideratë për tubimet publike të aktiviteteve të fushatës zgjedhore që besoj se do të mund të orientohen më shumë ka aktivitetet online e në medie, por të shmangen tubimet publike”, thotë Krasniqi.
“Të rritet numri i qendrave të votimit, pra që të shpërndahet votuesi mos të koncentrohen në një qendër në të cilën kanë votuar, të zgjatet orari i votimit, mbase të zgjatet edhe periudha, pra mos të ketë votim vetëm një ditë, por mund të bëhet për dy-tri ditë, dhe një ditë të votojnë personat më në moshë, që mos të përzihet me të rinjtë që mund ta kenë virusin, por pa simptoma”, ka deklaruar ai, raporton EO. /Insajderi.com