
“Te hënën edhe Sheshi mund të mbulohet me gjak, por NUK dorëzohemi para hajnave dhe krimineleve!”, është paralajmërimi i përfaqësuesit të punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj.
14 ditë kanë kaluar dhe punëtorët e Telekomit nuk i kanë marrë rrogat e tyre të muajit tetor. Madje nuk ka ndonjë indikacion që do t’i marrin ato.
Për këtë ata të hënën në ora 13:00 mblidhen para Qeverisë së Kosovës për të protestuar në kërkim të mbështetjes institucionale.
“Punëtoret e Telekomit dalin në protestë për mbrojtjen e pasurisë së Popullit të Kosovës, mbrojtjes së vendeve të punës, duke ju thenë Qeverisë BOLL MO”, ka shkruar në Facebook të premten kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit, Lamih Balaj.
Madje ai ka edhe akuza për Qeverinë e Kosovës. ”Boll Mo i mbrojtët hajnat dhe kriminelet”, shtoi ai.
Telekomi është në një kontest me Dardafon/Z-Mobile, si rezultat i së cilës xhirollogaritë e gjigantit të dikurshëm ekonomik janë bllokuar.
Një protestë e organizuar me datën 6 të këtij muaji, mblodhi qindra punëtorë të Telekomit, ndërmarrja që numëron 2.400 të punësuar. Këta thonë se nuk do të dorëzohen.
“Qeveria le ta dinë se, punëtoret e Telekomit NUK dorëzohen sepse jemi vjedhur nga të gjithë dhe keni shkel në dinjitetin tonë”, thuhet në postimin e Balaj-t. /Insajderi.com