Protesta në Mal të Zi kundër ligjit për lirinë e besimit fetar

Këshilli për Kontrollin Civil të Policisë ka mbajtur një seancë telefonike urgjente për protestat e fundit në të gjithë Malin e Zi pas miratimit të Ligjit për lirinë e besimit fetar.

Protesta në Mal të Zi kundër ligjit për lirinë e besimit fetar

Këshilli dënoi sulmet ndaj zyrtarëve nga ana e protestuesve serbë, transmeton Vijesti.

“Është vlerësuar se kufiri i shprehjes normale të protestës është kapërcyer. Qytetarëve u kërkohet të ushtrojnë të drejtën e lirisë së tubimit paqësor në përputhje me standardet. Kur demonstratat bëhen të dhunshme, policia ka një detyrim të rivendosë rendin dhe qetësinë publike”, tha Këshilli për Kontrollin Civil të Policisë për mediat e Malit të Zi.

Polici Dalibor Zhivkoviq u plagos gjatë një bllokimi rrugor në Cevna, të cilit iu dha ndihmë mjekësore në Bllokun e Emergjencave.

Protesta kundër miratimit të ligjit janë zhvilluar në disa qytete malazeze. Mitropoliti i Malit të Zi tha se nuk mbështet dhunën e protestuesve kundër policisë.

Ndryshe, miratimi i ligjit për komunitetet fetare në Mal të Zi është shoqëruar me protesta në Podgoricë, dhunë dhe arrestime. Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i heqë pronën, duke përfshirë dhjetëra manastire mesjetare dhe kisha, ndërkohë që sipas mediave malazeze, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq ka nënshkruar tashmë ligjin në fjalë.

Ligji për lirinë e besimit dhe statusin juridik të bashkësive fetare në Mal të Zi parashikon shtetëzimin e pronave për të cilat Kisha nuk mund të dëshmojë se i përkisnin asaj para 1918. Deri në atë datë, Mali i Zi nuk ishte shtet i pavarur dhe ishte pjesë e mbretërisë serbo-kroate-sllovene.