Organizata që merret me cilësinë në arsim ORCA, do të mbajë protestë në orën 11:00, kundër ministrit të Arsimit Ramë Likaj. ORCA ka kohë që e akuzon Likajn për profesor që boton punime të vjedhura.
Drejtori i Organizatës ORCA, Rron Gjinovci, ka paralajmëruar se do të mbahet protestë në sheshin “Zahir Pajaziti”, kundër ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, njofton Insajderi.
Gjinovci protestën kundër Likajt, e cila do të mbahet sot në orën 11:00, e ka quajtur “ekspozita e parë e plagjiaturave në Kosovë”, duke aluduar kështu në pretendimet se ministri Likaj sa ishte profesor universitar ka publikuar punime të vjedhura.
ORCA e kishte akuzuar Likajn për plagjiaturë para disa kohe, duke i përmendur edhe numrin e madh të publikimeve shkencore brenda një kohe shumë të shkurtër.
Me sarkazëm, kjo organizatë e kishte quajtur Likajn “supermen”.
Ministri është përgjigjur ndaj këtyre akuzave.
Ka thënë që as nuk do të merret me ta, sepse janë njerëz me agjenda, por edhe jo kompetentë për ta vlerësuar punën e tij.
“Unë kam 26 vjet që punoj në arsim dhe punën time e vlerësojnë studentët dhe kolegët. Kam kryer fakultetin para kohe, student i dalluar me notë shumë të lartë. Puna ime është e dëshmuar, më kanë vlerësuar njerëzit profesionistë. Nuk merrem me fjalë te rrugëve”, ka thënë ministri.
“Ata persona fyerjen e kanë projekt, pastaj propagandat e tilla i shfrytëzojnë për shantazhe. Kanë bërë kështu edhe më parë dhe kanë përfituar miliona euro. Unë kam vetëm mundin tim dhe ndershmërinë”.
Sipas Likajt, për ta ditur se çfarë akademiku dhe sa i përgatitur është në të vërtetë, atëherë duhet të pyeten ata që e njohin më mirë, e jo kritikuesit e tij.
“Mund t’i pyesni studentet e mi, puna ime është e dëshmuar, nuk dua të flas për vetveten, pasi kanë folur njerëzit kompetentë”. /Insajderi.com