Grupimi i qytetarëve të Kosovës të njohur si "Protestoj" kanë rrethuar sot oborrin e objektit qeveritar me shirita sigurie ku shkruan “Zonë e Rrezikshme”.
Në protestën e tetë të zhvilluar kundër skandalit të përgjimeve “Dosja e Shefave”, të cilat janë publikuar nga Gazeta Online Insajderi gjatë gushtit e fillimit të shtatorit, të tubuarit thanë se për shkak të keqqeverisjes Kosova ka mbetur e varfër, raporton Kallxo.com, njofton Insajderi.
“E dënojmë keq- qeverisjen, pasojë e së cilës Kosova është vendi më i varfër në Evropë, Kosova është e izoluar nga Evropa, Kosova ka numrin më të lartë të të papunëve në Europë dhe Kosova është shteti më I korruptuar në Evropë,” tha Hekuran Syla, njëri nga protestuesit.
Në përgjimet e publikuara nga Insajderi deputeti i PDK-së Adem Grabovci dëgjohej të fliste mes tjerësh edhe me zyrtarë të lartë të kësaj partie e shtetit, ndërsa shpesh në këto biseda vendosej kush të punësohej e kush jo nëpër bordet e ndërmarrjeve publike.
Hetimet e Prokurorisë Speciale ndaj Grabovcit në lidhje me përgjimet e publikuara nisën më 26 gusht. /Insajderi.com