Grupi i qytetarëve #Protestoj për herë të dhjetë kanë shprehur pakënaqësinë ndaj sistemit politik në Kosovë, që sipas tyre dita ditës po konfirmon edhe më tepër involvimin në krim dhe korrupsion në të gjitha format e tij.
Dhjetëra qytetarë kanë marr pjesë në protestën e sotme para Qeverisë së Kosovës.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook #Protestoj ka thënë se, “përderisa kryeministrat, ministrat tanë janë bërë milionerë, shtatëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, dhe 8 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Qeveria jonë, jo vetëm që nuk ka arritur të ndërtojë një sistem efikas të mbrojtjes bazike sociale, por ajo ka nisur iniciativa politike të cilat drejtpërdrejtë rrezikojnë ekzistencën fizike të qytetarëve të saj”.
Më tutje thuhet se, “iniciativa e fundit e Kuvendit të Kosovës, i cili ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, shënon kapërcimin më të madh që kjo qeveri ka bërë deri më tani, që legjitimon plaçkitjen e pronës private të qytetarëve të Kosovës, e që janë kursimet tona private në trust pensional. Ata synojnë të mbysin të vetmen mundësi tonën për një pleqëri të dinjitetshme”.
Ata kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera.