Protestojnë për herë të tretë punëtorët teknikë – gjobitet organizatori me 200 euro

Protestojnë për herë të tretë punëtorët teknikë – gjobitet organizatori me 200 euro

Punëtorët teknikë të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, po kanë dalë për të protestuar për të tretën herë radhazi lidhur me kërkesën e tyre për të marrë shtesat prej 300 euro, njofton Insajderi.

Ky sektor duke u ndjerë të diskriminuar kanë bojkotuar sot punën për një orë dhe gjatë protestës kanë paralajmëruar se në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre do të hynë në grevë.

Përfaqësuesi i administrates, njëherësh edhe prijës i kësaj proteste, Kastriot Gjoshi tha se këta punëtorë e kanë vetëm një kërkesë.

“Vetëm një kërkesë e kanë tërë këta punëtorë. Kërkesa është shtesa prej 300 eurove që nuk është paguar nga menaxhmenti dhe nga ministria. Këta punonjës janë demoralizuar dhe diskriminuar për shtesën që është ndarë për disa kategori. Neve nuk na pyeti COVID-19 – nuk na diskriminoi, të gjithë ishim të njëjtë”.

“Ne kemi kërkuar nga protestuesit që një javë t’i japim kohë Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxhmentit. Përndryshe, nëse nuk reflekton brenda javës së ardhshme ne do të vazhdojmë nëse është nevoja edhe bojkot të punës komplet tërë ditës”, tha ai.

Gjoshi është gjobitur nga policia me 200 euro për organizim të protestës. /Insajderi.com