Protestojnë punëtorët e komunikacionit, kërkojnë që paga minimale të jetë 400 euro

Protestojnë punëtorët e komunikacionit, kërkojnë që paga minimale të jetë 400 euro

Punëtorët e komunikacionit në ditën ndërkombëtare për të drejtat e klasës punëtore, kanë protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, duke kërkuar që paga minimale të jetë 400 euro, përcjell Insajderi.

Alush Sejdiu, kryetari i Federatës për Komunikacion private-publik,   ka thënë së kërkojnë nga Qeveria e Kosovës, që të respektohet orari i punës nga punëdhënësit si dhe për çdo orë shtesë të kompensohen.

“Kërkesa jonë ndaj Qeverisë është respektimi i ligjit dhe marrja e masave ndaj punëdhënësve, të cilët i shkelin të drejtat e punëtorëve të garantuara me ligj. Paga minimale duhet të jetë së paku 400 euro, të zbatohet 0.5% e përvojës së punës dhe orari i punës të respektohet dhe për çdo shtesë të kompensohen punëtorët e të garantohet transporti”, deklaroi kryetari i kësaj federate.

Ai tha po ashtu se kërkesat e këtij sektori janë të shumta, dhe sipas tij 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, Kosovën e gjen në një situatë të rëndë.

“Përveç COVID-19, punëtoret ballafaqohen me shkeljet e të drejtave më elementare duke filluar prej largimit nga puna, paga minimale është e ulët, kemi mosrespektim të kontratës kolektive, mosrespektim të ligjit të punës dhe deri tek mosrespektimi i orarit”, ka thënë Sejdiu.

Protestuesit kanë marshuar me pankarta me mbishkrime ” Nuk jemi rob, por jemi punëtor”, “Duam të drejtat tona”, drejt Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësit e tyre për  shkeljen e të drejtave në punë./Insajderi.com.