Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e personave të korruptuar nga “Dosja e Shefave”

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e personave të korruptuar nga “Dosja e Shefave”

Protesta e dytë e organizuar nga shoqëria civile sot në Prishtinë, me qëllim kundërshtimin e korrupsionit dhe ndërhyrjen e klaneve në institucionet e Kosovës, kësaj radhe nuk ka kaluar pa kërkesa nga ana e protestuesve.

Dorëheqja, hetimi penal dhe përgjegjësia politike e të përgjuarve në rastin “Dosja e Shefave”, janë tri kërkesat e shoqërisë civile ndaj organeve kompetente të drejtësisë dhe qeverisë së Kosovës, raporton Insajderi.

“Ne qytetarët e Kosovës, të mbledhur në këtë shesh publik me vullnetin e mirë dhe duke ndje obligim, duke treguar përgjegjësi, duke mos gjetur qetësi pas daljes së përgjimeve, që nxorrën korrupsionin në pah, kërkojmë: Dorëheqjen e menjëhershme, hetimin penal, përgjegjësinë politike, të të përgjuarve dhe mbështetësve të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët të protestuesve.

Protesta është thirrur nga një grup qytetarësh pasi që Gazeta Online Insajderi ka filluar publikimin e një serie telefonatash të përgjuara të zyrtarëve të lartë të PDK-së – përfshirë këtu edhe kryetarin aktual Kadri Veseli dhe ish-kryetarin Hashim Thaçi, aktualisht president i vendit.

“Këto kërkesa tona, janë angazhimi ynë i përditshëm, deri sa ju të mësoheni që ju nuk jeni sunduesit, por shërbëtorët tanë. Ju do të na shërbeni, sipas kërkesave tona, ose do të përballeni me forcën e vullnetit tone”, thonë më tej në adresimin e tyre, organizatorët e protestës.

Protestuesit e mbledhur fillimisht tek sheshi Zahir Pajaziti kanë marshuar drejt Qeverisë së Kosovës dhe Presidencës, ku kanë dëgjuar për rreth 10 minuta përgjimet e publikuara deri më tani. /Insajderi.com