Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se provimi shtetëror i Maturës do të mbahet më 26 qershor 2021, shkruan Insajderi.
Përmes një njoftimi nga Ministria e Arsimit është bërë e ditur së shtyrja e provimit të maturës për këtë afat ka ndodhur për shkak të lëvizjes së kalendarit shkollor dhe më kërkese të Drejtorëve Komunale të Arsimit.
“Si pasojë e pandemisë Covid-19, e cila ka reflektuar në shumë dimensione në ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor në vitin shkollor 2020/2021, si dhe në reduktimin e përmbajtjes mësimore dhe mbajtjes së orëve mësimore me orar të shkurtuar edhe këtë vit sikurse vitin e kaluar, Provimi i Maturës do të mbahet brenda një dite”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se Komisioni Shtetëror i Maturës dhe MAShTI mbeten të përkushtuar që Provimi Shtetëror i Maturës të realizohet konform kritereve dhe standardeve të përcaktuara me ligj.
“MAShTI fton të gjitha institucionet përkatëse, drejtoritë komunale të arsimit, shkollat dhe të gjithë të përfshirët në këtë proces, që të jenë në nivel të detyrës dhe të ndërmerren të gjitha masat duke mundësuar një proces të drejtë, korrekt dhe të besueshëm. Bazuar në rekomandimet e Komisionit, paraqitja e Provimit të Maturës do të bëhet nga data 7 deri më 15 qershor 2021. Publikimi i rezultateve të Provimit të Maturës do të bëhet më datën 5 korrik”, thuhet më tej./Insajderi.com