“PS në Has ndan rezervat e shtetit për vota”, Majko: Nuk ndodh në Natën e Kadrit, është Haram

“PS në Has ndan rezervat e shtetit për vota”, Majko: Nuk ndodh në Natën e Kadrit, është Haram

Partia Demokratike ka denoncuar disa ditë më parë djemtë e kandidatit të PS për Bashkinë e Hasit Halit Mula se në shkelje të Kodit Zgjedhor kanë shpërndarë pako nga rezervat e shtetit me qëllime elektorale, ndërsa akuzoi policinë se nuk ka ndërhyrë.

“Në një video të publikuar nga kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë Has, Z. Miftar Dauti, shihet qartazi se si ndihmat e rezervave të shtetit transportohen me automjet personal të familjarëve të kandidatit socialist. Ky përbën një krim zgjedhor të padiskutueshëm”, thuhet në reagimin e PD-së.

Por policia e Hasit, përmes një njoftimi të shpërndarë dy ditë më parë ka njoftuar prokurorinë dhe ka shoqëruar menjëherë në ambientet e Komisariatit të Policisë, furgonin me targë AB 333 EC si dhe ka ushtruar kontroll në brendësi të tij, ku janë konstatuar 21 pako me mbishkrimin “Rezerva Materiale Shtetërore”, të cilat ishin ngarkuar në magazinën e bashkisë.

Një reagim ka bërë deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit, Pandeli Majko i cili i quajti këto akuza një fantazi të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Miftar Dauti.

“Në Has, natën e shenjtë të Kadrit aludimet se kandidati i Partisë Socialiste po blinte vota me 21 pako me ushqime, kanë marrë të tatepjetën! Fantazia nuk ka limit, sa ka media që ju kanë dhuruar sot titullin kryesor! Në se lajmi që në një natë të shenjtë po “blehen” vota do të ishte e vërtetë, ajo në gjuhën e fesë quhet Harram!

“Profesionistët” e blerjes së votës e dinë se kjo, ndodh javën e fundit të fushatës!”-shkruan Majko. Blerja e votës, nuk ndodh në një natë fetare! Vota, nuk blehet një muaj para datës së zgjedhjeve! Nuk blihen hasjanët për “ilac” rrobash! Megjithatë, cdo akuzë ka kuptim edhe kur fyen qëllimin e natës së shenjtë! Për këtë ka një ligj të shkruar! Ai është për cilindo sot edhe nesër!  Hasjanët do vendosin me votë”, ka deklaruar deputeti i PS-së, Pandeli Majko.