PSD-ja vendos biberonë në hyrje të qeverisë për të kundërshtuar mbylljen e çerdheve

PSD-ja vendos biberonë në hyrje të qeverisë për të kundërshtuar mbylljen e çerdheve

Partia Socialdemokrate, përmes një aksioni simbolik të mbajtur të hënën para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ka kundërshtuar vendimin e kësaj të fundit për mbylljen e çerdheve.

Dhjetëra biberonë të mbushur qumësht janë vendosur në shkallë.

Natyra Kuçi, zëdhënëse e kësaj partie deklaroi para mediave se, ky aksion simbolik është pikërisht për “lënien anash të fëmijëve dhe shtypjen e grave në shoqëri”.

“Këta biberona sot këtu që i kemi hedhur përçojnë mesazhin se fëmijët nëpër kopshte janë lënë anash nga dora e shtetit dhe prapë janë lënë në kujdesej të nënave dhe grave dhe barra po rëndon prapë te nënat. Vendimi i qeverisë është i shpejtë e i pamenduar”.

“Si ka mundësi që të mbyllen çerdhet e të lihen të hapura xhamitë, gastronomia e të mbahen tubime politike. Qeveria Kurti po i bëhet barrë nënës në shtëpi”, u shpreh Kuçi.

Ka shtuar se “Qeveria Kurti është jo emancipuese, por betonuese e rolit të grave në shoqëri”.

“Roli i të cilave nënën e mban në shtëpi deri sa rastet të bien dhe të vazhdoj me fushatën elektorale dhe tubimet”.

Sot, e hënë, kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID’19, të miratuara një ditë më parë nga Qeveria e Kosovës. Ndër pikat në masat e reja është edhe mbyllja e çerdheve./Insajderi.com