PSD me aksion te objekti i Qeverisë: Krejt dhe drejtë = i gjithë pushteti i sovjetëve

PSD me aksion te objekti i Qeverisë: Krejt dhe drejtë = i gjithë pushteti i sovjetëve

Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion simbolik në objektin e Qeverisë së Kosovës, në të cilin ka vendosur mbishkrimin “Krejt dhe drejtë = i gjithë pushteti i sovjetëve”, njofton Insajderi.

“Krejt dhe drejt” është slogani i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit, të cilin PSD-ja e ka krahasuar me parullën bolshevike “Krejt pushteti i sovjetëve”.

Me këtë rast, para medieve ka folur kryetari i këtij subjekti politik, Dardan Molliqaj, i cili tha se kjo parullë, e përdorur para një shekulli përshkruan mirë domethënien e zgjedhjeve në Kosovë.

“Në emër të lirisë, demokracisë e zhvillimit po shkojmë drejt një autokracie me tendencë totalitare. ‘Krejt pushteti sovjetëve’ ishte parullë bolshevike kundër aleatëve liberal dhe kundër institucioneve qendrore, drejt sovjetëve që ishin këshillat e punëtorëve. Në ditët e para brenda sovjetëve ishte partia; pastaj sovjetët u bënë instrumente të partisë; partinë ndërkohë e merr në kontroll rrethi i ngushtë i pararojës; për t’u qendërzuar në fund në duart e një njeriu.

I njëjtë është procesi këtu. Në emër të luftës ndaj regjimit të vjetër po na përvidhet një “shpëtimtar”. Ky shpëtimtar para pak kohësh ndërroi statutin partiak dhe mori kompetencat për vete; pastaj, mësynë presidencën dhe e shndërruan në zyre partie; në radhe ishte sulmi ndaj KQZ-së; pastaj erdhi slogani “krejt pushteti sovjetëve” në versionin kosovar. Të gjitha për liderin suprem! Populli është një, vullneti i tij trupëzohet tek lideri suprem’, tha Molliqaj./Insajderi.com