PSD nis peticion për faljen e gjobave gjatë pandemisë

PSD nis peticion për faljen e gjobave gjatë pandemisë

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Dren Kukaj, njoftoi se kjo parti të enjten do të nisë një peticion që të u falen qytetarëve gjobat e shqiptuara gjatë pandemisë, shkruan Insajderi.

Ai tha se kanë përgatitur një projektligj që përfshin periudhën prej 15 mars të vitit të kaluar deri në 15 maj të këtij viti për faljen e gjobave.

“Ne në kuadër të Ligjit për nisma legjislative e kemi të punuar një Projektligj për falje gjobave të marruara për masat anti-Covid. Ajo çfarë është e rëndësishme që subjektet përfituese janë qytetarët të cilëve u janë shqiptuar masa”, theksoi Kukaj.

Anëtari i PSD-së, pohoi se nga falja e gjobave janë përjashtuar partitë politike që janë gjobitur gjatë fushatës zgjedhore.

“Ne synojmë që të arrijmë shifrën prej 10 mijë peticioneve dhe të shkojë në Kuvend e të marrë miratim në mënyrë që t’u falen borxhet qytetarëve”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, Teuta Rrusta, nga ky subjekt politik, tha se falja e gjobave është e rëndësishme pasi qytetarët po përballen me probleme financiare.

“Ajo për çka po kërkojmë nënshkrimin për ndryshimin e ligjit është falja e borxheve gjatë pandemisë. Përveç humbjeve të punës, kemi dhunë të shtuar në familje. I kemi partitë politike që nuk kanë qenë të kujdesshme sa i përket shëndetit publik”, potencoi ajo./Insajderi.com