PSD: Qeveria reagoi për dhunën e policëve për shkak të presionit

PSD: Qeveria reagoi për dhunën e policëve për shkak të presionit

Partia Socialdemokrate thotë se reagimi i Qeverisë së Kosovës për dhunën e përdorur nga policët ndaj aktivistëve të kësaj partie, është bërë me vonesë dhe sipas tyre, për shkak të presion të madh nga opinioni publik, njofton Insajderi.

Përmes një komunikate për media, nga PSD-ja thonë se “kjo është mënyra e vetme sesi ky pushtet matet”.

“Reagimi i Qeverisë nuk erdhi pasi u përdor dhunë nga policia, as pasi u arrestuan aktivistët. Qeveria ka reaguar vetëm pas presionit të madh të qytetarëve dhe opinionit publik. Prandaj reagimi doli në ora 23:00. Kjo është mënyra e vetme sesi ky pushtet matet. Reagimi është i vonshëm, dhe erdhi prej zorit”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, dhuna policore ndaj aktivistëve tregon për fillimin e përndjekjeve.

“Ajo merr forma të ndryshme në kohë, por qëllimi është i njëjtë: paqtimi i dallimeve, dëgjueshmëria, disiplinimi. Policët më të zellshëm në ushtrimin e dhunës janë ata që marrin tagrin moral e politik prej populizmit të Kryeministrit Kurti. Rendet me tendenca totalitare janë të rrezikshme sepse funksionojnë pa nevojën për komandime direkte nga sipër.

Dhuna policore është e papranueshme. Qeveria nuk mund të fshihet prapa një reagimi e një suspendimi të policit. Qeveria fshihet prapa një reagimi që flet për të drejtën për protestë, e në njëjtën kohë dhe për të njëjtin parim mbanë të burgosur Kryetarin e PSD-së”.

PSD-ja ka zhvilluar një aksion të premten rreth orës 12:05 te objekti i Ministrisë së Drejtësisë, për të kundërshtuar nënshkrimin e kontratës nga Qeveria për “tiketën”. Sipas kontratës, nga 1 shatori, qytetarët janë të detyruar të paguajnë taksë shtesë prej pesë euro kur regjistrojnë veturën.

Gjatë këtij aksioni janë arrestuar tetë aktivistë, përfshirë edhe liderin e partisë, Dardan Molliqaj. Të tjerët janë liruar, por ky i fundit ndodhet në paraburgim, dhe ndaj tij, sipas policisë, është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar”. Mënyra e arrestimit dhe dhuna e përdorur nga policia ka nxitur reagime të shumta.

Por, policia aktivitetin e ka quajtur të paparalajmëruar, ndërsa ka thënë se aktivistët e PSD-së kanë dëmtuar 29 vetura zyrtare.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës përmes një reagimi të premten mbrëma ka thënë se është e shqetësuar nga pamjet e dhunës që janë shfaqur gjatë këtij aksioni./Insajderi.com